Kurat gjenetike efikase në luftën kundër kancerit

Kurat gjenetike efikase në luftën kundër kancerit

Kurat inovative që shënjestrojnë tumoret bazuar në kartën e të dhënave gjenetike, dhe jo sipas kategorisë së tyre të përgjithshme, përmirësojnë dukshëm kohëzgjatjen e jetëgjatësisë në raport me trajtimet tradicionale, sipas studimit më të rëndësishëm të kryer deri më sot.

Të gjitha format e kancerit të gjirit, mëlçisë apo të tjera nuk janë të ngjashme.

Prej vitesh, hulumtuesit po rritin numrin e zinxhirëve të ADN-së së tumoreve, kryesisht atyre më rezistente ndaj kurave të zakonshme, për të gjetur mutacionet gjenetike te një pacient i veçantë dhe për t’i përshtatur medikamentin që do t’i injektohet.

Këto kura të mirëpërcaktuara konsiderohen si promotorë të rëndësishëm, por duhet konfirmuar ende statistikisht që ato janë më të efektshmet. Është pikërisht një ekip hulumtuesish në Teksas që ka ndërmarrë, në vitin 2007, një studim të quajtur “Impact”.

Hulumtuesit rekrutuan 3 743 pacientë që po kuroheshin në Qendrën e Luftës Kundër Kancerit “MD Anderson” në Teksas, nga viti 2007 deri në 2013. Të gjithë ishin të prekur nga sëmundja e kancerit në fazë të avancuar, kryesisht në gji, mushkëri apo në stomak. Disa u ishin nënshtruar deri 16 kurave.

Në mesin e tyre, 711 morën një medikamet të përshtatur për një mutacion gjenetik që ishte konstatuar tek ata. Një grup i dytë prej 596 pacientësh ndoqën një protokoll standard, kryesisht pasi asnjë trajtim i përshtatur gjenetikisht nuk ishte i mundshëm për rastet e tyre.

Pas tri vitesh, 15% e atyre që kishin marrë terapi molekulare të shënjestruar jetonin ende, kundrejt 7% në grupin e pacientëve që i ishin nënshtruar vetëm një trajtimi tradicional.

Në përfundim të 10 viteve, 6% e pacientëve të grupit të shënjestruar jetonin, kundrejt 1% të grupit tjetër.

“Ky është studimi i pari dhe më i rëndësishëm që tregon se trajtimet e përshtatura ndaj mutacioneve gjenetike të tumoreve tek pacientët që vuajnë nga një kancer i avancuar përmirësojnë jetëgjatësinë e tyre”, sqaroi Catherine Diefenbach, onkologe në qendrën mjekësore “Langone” të Universitetit të Nju Jorkut.

-E ardhmja-

“Përpara mjekësisë së precizionit, pacientët trajtoheshin në varësi të tipit të kancerit që ishin prekur”, vijon specialistja.

”Por, një paciente e prekur nga sëmundja e kancerit të gjirit mund të ketë qeliza që ngjajnë gjenetikisht më shumë me një kancer të mushkërive sesa me një tjetër kancer të gjirit. Nëse e kurojmë sëmundjen e kancerit vetëm në varësi të lokalizimit, humbim të gjitha këto ndryshime gjenetike. Metoda që konsiston në identifikimin gjenetik të tumoreve përfaqëson të ardhmen”, pohoi ajo.

Zinxhirët e ADN-së nuk janë gjithsesi një kurë që bën mrekulli. Mesatarisht, terapitë e përqëndruara kanë rritur me nëntë muaj kohëzgjatjen e jetëgjatësisë së pacientëve, kundrejt 7,3 muaj për kurat e zakonshme.

Por, metoda po përmirësohet nga viti në vit.

“Në fillim mund të punonim vetëm në një apo dy gjene”, pohoi autorja kryesore e studimit, Apostolia Tsimberidou.

“Në mënyrë ideale, në të ardhmen, testi gjenetik i tumoreve dhe analizat e ADN-së do të kthehen në normë në momentin e diagnostikimit, gjë që do të ndihmonte pacientët që në fillesën e sëmundjes, kryesisht në llojet e vështira të sëmundjes së kancerit”, përfundoi ajo./ATA/

EMISIONET