Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, përveç radarëve tashmë policia po vrojton edhe me dron. Në një dalje për mediat, Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola tha se me anë të dronit do të kontrollohen sjelljet e shoferëve që mund të çojnë në aksident.

Tola: Duke shfrytëzuar mjetet e teknologjise digitale, përveç përdorimit të radarëve matës të tejkalimit të limiteve të shpejtësisë së mjeteve, shërbimi i Policisë Rrugore ka filluar kontrollet edhe me DRONË në akset kryesore rrugore. Shkelje të tilla si “parakalimi i gabuar”, “pozicioni i mjetit në karrexhatë”, sjelljet jokorrekte në rrethrrotullime, “mos-ruajtja e distancës në udhëtim”, “ndryshimet e papritura të korsisë” në rrugët interurbane kryesore dhe autostrada, janë shkelje që tashmë do të identifikohen me edhe me DRON nga ana e patrullave sipas një plan-kalendari të miratuar nga Drejtoria e Policisë Rrugore në të gjithë territorin rrugor të vendit si dhe shkelje të tjera në qendrat e banuara.

Po ashtu policia ka marrë masa edhe për aktivitetin e “Pelegrinazhit në Malin e Tomorit”.

Tola: Shërbimi i Policisë Rrugore ka filluar ndërkohë monitorimin dhe mbikqyrjen me patrulla të shtuara të aktivitetit mjaft të rëndësishëm të “Pelegrinazhit në Malin e Tomorit” me pjesëmarrje masive të njerëzve dhe të drejtuesve të mjeteve. Drejtoria e Policisë Rrugore në mbështetje të Drejtorisë së Policisë Vendore Berat, kërkon vëmendjen e drejtuesve të mjeteve për një drejtim më të kujdesëshëm të mjetit, referuar gjithmonë kushteve të rrugës Berat – Skrapar – Mali i Tomorrit.

/Ora News.tv/