Kryetari i bashkisë së Parmës, Pizzaroti: Sheshi Skënderbej, një hapësirë fantastike pedonale

Kryetari i bashkisë së Parmës, Pizzaroti: Sheshi Skënderbej,

“Sheshi  Skënderbej, një hapësirë fantastike pedonale”. Kështu u shpreh kryetari  i Bashkisë  së Parmës, Federico Pizzaroti, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës,  Erion Veliaj, me të cilin diskutoi rritjen e bashkëpunimit në çështjet  kulturore, mobilitetit dhe teknologjisë së avancuar në dhënien e  shërbimeve për qytetarët. Dy homologët vlerësuan  se dëshira e përbashkët për bashkëpunim do të përkthehet në realizimin e  disa projekteve konkrete dhe të prekshme për qytetarët.

“Jam  shumë i lumtur që kemi filluar një bashkëpunim konkret me Parmën,  kryesisht  për çështjet e kulturës, por edhe për çështjet e mobilitetit dhe  qytetet inteligjente. Për ne është fat që jemi pranë Italisë, pranë  Parmës, që jemi pranë qyteteve që tashmë janë udhëheqëse të zhvillimit  dhe modernizimit në Europë, e mezi pres që të bëjmë  më shumë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kreu  i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti, pasi falenderoi  kryebashkiakun  Veliaj për mikpritjen, u shpreh i kënaqur për raportet miqësore që  ekzistojnë tashmë mes dy bashkive, ndërsa vlerësoi transformimin që ka  pësuar sheshi “Skënderbej”. “Folëm për kulturë, ekonomi, por edhe për  teknologjitë e reja, për t’i bërë qytetet më të  jetueshme. Pas gati një viti, vlerësoj shumë këtë shesh fantastik,  faktin që është një hapësirë pedonale, çka sjell një lëvizshmëri më të  qëndrueshme dhe një hapësirë për qytetarët”, tha Pizzaroti.

Ndërkaq,  Veliaj vuri në dukje faktin se Parma është sot një nga qytetet më  të zhvilluara të Italisë, nga eksperienca e së cilës Tirana ka mundësi  të marrë më të mirën, sidomos lidhur me transportin dhe argoturizmin.  “Duam të kuptojmë pak më shumë se si sfidat e mobilitetit, transportit  publik, e një qyteti dixhital, janë transformuar  në qytetin e Parmës dhe gjithashtu duam të mësojmë shumë për turizmin  dhe për mënyrën se si mund të transformohet qyteti përmes turizmit,  kryesisht zonat rurale që mund të jetojnë me agroturizëm, se si mund të  jetohet mirë me kulinari. Duke mësuar nga më të  mirët, edhe ne mund të bëhemi pak më të mirë”, tha Veliaj.

Kurse,  Pizzaroti nënvizoi se gjatë vizitës së kthimit në Parma, pritet të  nënshkruhet  edhe dokument që do të zyrtarizojë miqësinë mes dy qyteteve. “Mbjellja e  një peme është një gjest shumë i bukur për të forcuar miqësinë. Madje,  shpresoj që në takimin pasardhës, gjatë vizitës në Parmë, mund të  firmosim një pakt miqësie mes dy qyteteve, sepse  ekziston vullneti për bashkëpunim. Bashkëpunojmë me një komunitet shumë  të aftë në aspektin kulturor, gjë të cilën duam ta forcojmë edhe nga  pikëpamja industriale, kulturore; pra, ne duam të bashkëpunojmë e të  rritemi bashkë dhe mendoj se qytetet dhe personat  që i menaxhojnë këto qytete mund të jenë një shembull domethënës për  qytetarët”, tha kryebashkiaku i Parmës.

Veliaj  tha se për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij bashkëpunimi shumë shpejt  një delegacion i Bashkisë së Tiranës do të vizitojë Parmën për të  diskutuar një axhendë konkrete bashkëpunimi mes dy bashkive. “Një nga  fushat ku mund të bëjmë shumë është një kalendar i përbashkët i  kulturës, Parma është qyteti i Verdit, një qytet që i ka  dhënë botës kaq shumë kulturë, art dhe muzikë; mezi presim që të kemi  një aktivitet të përbashkët kulturor dhe një kalendar vjetor”, përfundoi  kryebashkiaku Veliaj.

Të dy kryebashkiakët në shenjë miqësie dhe vazhdimësisë së bashkëpunimit mes  dy bashkive mbollën gjithashtu një pemë në lulishten e sheshit “Skënderbej”.

EMISIONET