Presidenti, Ilir Meta, nuk sheh zgjidhje tjetër për rishikimin e ndryshimeve kushtetuese të 2008 përpos referendumit.

I ftuar në "360 Gradë" në RTV Ora, ai tha se kjo çështje ka qenë dhe mbetet prioritet i tij.

Meta: Rishikimin e ndryshimeve të vitit 2008 e kam një gjë të cilën e kam pasur dhe e kam prioritet.

Zheji: Ishte në koalicion me Ramën në 2013-2017, pse nuk e bërë, i kishit votat?

Meta: Ishte e pamundur, kemi dashur dhe e kemi kërkuar këtë gjë dhe me PD dhe me PS. Nuk pranohej nga të tjerët. Kjo zgjidhet vetëm përmes një referendumi dhe për këtë po mendoj.

Këto marrëveshje për 2008 e më pas janë bërë nga dy partitë kryesore dhe janë kundërshtuar nga partia që unë drejtoja dhe të tjerë. Është e vështirë ose e pamundur dhe në pozitat e mëparshme aq më tepër që të vendosja kushte të parealizueshme kur dihej vullneti i tyre në të kaluarën.Vetëm një rrugë më ka mbetur mua dhe qytetarëve shqiptarë, rruga e referendumit.

Populli shqiptar ka vendosur me referendumin që bëri në 1998 të drejtën për tu shprehur me referendum për çështje të veçanta. Po mendoj këtë zgjidhje, nuk pres zgjidhje nga partitë për këtë çështje. Partitë duan të kenë gjithmonë pushtetin e tyre mbi qytetarin. Nëse do të ecim drejt dhënies së pushtetit të qytetarëve ndaj partive kjo nuk u intereson. Vetëm aplikimi i referendumeve do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky batak. 

Në Shqipëri është e pamundur të kemi dialog politik të përgjegjshëm, nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon. Është e pamundur të marrë dikush përgjegjësinë për një gjë, gjithmonë përgjegjësia është ping-pong. E vetmja rrugë është referendumi.


/Ora News.tv/