Kraki: Specialja ndali brutalisht zhbërjen e Kosovës në Uashington, po shkohej për pazar. Thaçi duhet të lëshojë zyrën

Kraki: Specialja ndali brutalisht zhbërjen e Kosovës në

Analisti, Nezir Kraki, nuk bën pjesë në grupin e atyre njerëzve që ndjenë keqardhje për anulimin e takimit të 27 qershorit mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Ai shpreson shumë që aktakuza që lëshoi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, të jetë boshe por thotë se Kosova shpëtoi nga pazaret.

Kraki: Më vjen keq për aktakuzën që nëse nuk ka bazë do të vërifikohet por që shpëtoi Kosova një pazar duhet të thuhet. Askush nuk ja kishte kuptuar as qëllimin, as ngutinë, as përfitimet. Komplet mjegull.Thaçi ka qenë intervistuar nga kjo gjykatë si Veseli, Haradinaj dhe shumë të tjerë. Nuk janë vetëm krimet e kohës së luftës, në këtë formatin e ri të Speciales por edhe për krime që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, vrasje politike. Thaçi ka lobuar për formimin e Gjykatës Speciale. Unë vazhdoj të jem kundër kësaj gjykate sepse nuk besoj në drejtësi speciale dhe as në drejtësi ndërkombërtare, asnjëherë nuk kanë sjellë drejtësi të mirëfilltë.

Në një intervistë për Rtv Ora, Kraki thotë se vetë Thaçi e ka ndihmuar direkt apo indirekt strategjinë serbe për zhbërjen e Kosovës dhe njollosjen e luftës së UÇK.

Ai kujton se ish-shokët e tij të luftës i mbajnë ende qëndrim pasi konsiderojnë se i ka tradhëtuar kur votoi Gjykatën Speciale.

Ndaj natyrshëm, Kraki shtron pyetjen: Çfarë priste Presidenti të gjykonte kjo gjykatë kur ai u investua bashkë me njerëzit e tij për ta ngritur?

Kraki: Sigurisht që dëmtohet Kosova dhe lufta e UÇK. Strategjia serbe ka pasur dy boshte këto 20 vite, zhvlerësimi i luftës së UÇK duke e paraqitur terroriste, krimbërëse, si të padrejtë, jo legjitime. Boshti i dytë ka qenë invalidimi i shtetësisë së Kosovës. Fatkeqësisht në këto dy boshte institucionalistë shqiptarë të Kosovës, njerëz si Thaçi duke qenë kryeministër apo president e ka ndihmuar direkt apo indirekt Serbinë në këto dy boshte. 

Thaçi me njerëz të tij kanë bërë lobim të paparë në parlament për tu ngritur ajo gjykatë.Do të gëzohem shumë nëse akuzat dalin të pavërteta dhe të pabaza. Nuk duhet të harrojmë faktin për çfarë është ngritur kjo gjykatë. Çfarë kanë pritur ata që ajo gjykatë të bëjë? Gjykata me miratimin e Thaçit dhe njerëzve të tij nuk ka ardhur për dënimet në trafik dhe telekomunikacion. Thaçi e ka ndihmuar direkt apo indirekt strategjinë serbe për zhbërjen e Kosovës dhe njollosjen e luftës së UÇK, ish-shokët e tij të luftës janë ende nervoz me të sepse i ka tradhëtuar kur e ka votuar Gjykatën Speciale. Tani dalin të njëjtët dhe vajtojnë, si na shpallën aktakuzën.

Kjo e njollos Kosovën si shtet se Thaçi është president i Kosovës. Nëse e lidhim këtë me ngutinë e tij drejt një marrëveshje me Serbinë mos rastësisht e morën përgjigjen? Thaçi dhe njerëzit e tij e paskan ditur me gjasë që i kanë emrat në raport. Gjykata Speciale me publikimin e kësaj aktakuze për të cilën shpresoj të jetë pa fakte, e ndali brutalisht zhbërjen e Kosovës, nisja e të cilës ishte programuar me 27 qershor në Uashington. Duhet ti themi gjërat si janë.

Analisti thotë se Thaçi duhet ta lëshojë zyrën e Presidentit dhe të shkojë para gjykatës si Hashim Thaçi. Nga ana tjetër sipas tij zgjedhjet janë të pashmangshme në Kosovë.

Vendit sipas Krakit i duhet një udhëheqje në një vijë me hallet e Kosovës, jo në vijë me hallet personale apo ngutisë së një turisti diplomatik si Grenell.

Kraki: Kosova si shtet është pezulluar. Kosovës i kanë ndodhur muajt e fundit disa tragjedi politike. Fatkeqësia jonë është se Kosova me gjasë do të shkojë në zgjedhje. Thaçi duhet ta lëshojë zyrën, të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme në fund të vitit. Ata që na qeverisin duhet të jenë në vijë me hallet e Kosovës, jo në vijë me hallet personale apo ngutisë së një turisti diplomatik si Grenell. Dialogu i dizejnuar nga Thaçi ka qenë pazar, nuk dialogohet me Serbinë me takime ad-hoc në Bruksel e Uashington. Serbia përgatitet të blejë Ipkon, telekomin e  Kosovës, operatorin e dytë në Kosovë, për të tilla marrëveshje ekonomike flasin ata. Nëse Serbia ripushton Kosovën ekonomikisht pse u bë ajo luftë? Nuk më intereson mua kush është Grenell nëse interesat tona preken. Me 4 tetor do të kemi një Amerikë tjetër me gjasë, ka mbjellur kaos në gjithë botën. Kosova është shtet, duhet të shkojë si shtet, duhet të negociojë me Serbinë për çështje teknike.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti për online Besjana Kuçana

EMISIONET