KPK shkarkon kryetarin e Gjykatës së Elbasanit

KPK shkarkon kryetarin e Gjykatës së Elbasanit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurtit.

Senanca dëgjimore ndaj gjyqtarit Kurti u zhvillua më 4 nëntor,  ku trupa gjykuese përbëhej nga Firdes Shuli kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Prona të krijuara me burime të pajustifikuara, një raport sekret që sugjeron lidhje me krimin e organizuar dhe një masë sigurie arrest me burg i paargumentuar rënduan mbi kryetarin e Gjykatës së Elbasanit Sulejman Kurti, i cili u përball me procesin e vetingut të hënën.

Probleme në të trija kriteret

Gjyqtari Sulejman Kurti u vlerësua në të tri kriteret, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizimit. 

Pasuria - Ndryshe nga raporti i ILDKPKI ku nuk ishin konstatuar problematika lidhur me deklarimin e pasurisë, Komisioni ka identifikuar mungesë të burimeve të ligjshme e mospërputhje të deklarimeve.

Pastërtia e figurës - Lidhur me pastërtinë e figurës, relatori Hamitaj tha se DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cili gjyqtari Kurti ishte i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. 

“Pas analizimit të disa informacioneve të reja, DSIK e ka ndryshuar vlerësimin fillestar duke konstatuar pa përshtatshmërinë e gjyqtarit Kurti,”- pohoi ndër të tjera relatori Lulzim Hamitaj. Ai shtoi se informacionet e reja do të vlerësohen gjatë marrjes së vendimit.

Profesionalizmi - Sipas relatorit Hamitaj, inspektoriati i KLD nuk ka konstatuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Kurti dhe se ndaj tij nuk ka pasur ndonjë kërkesë për procedim disiplinor.

Ndërkohë, nga 7 denoncime të depozituara pranë KPK-së, Hamitaj renditi disa gjetje. Ai tha se Kurti ka vendosur të cilësojë të ligjshëm arrestimin e një shtetaseje, pa argumentuar rrezikshmërinë e saj dhe se ky vendim ishte rrëzuar nga Apeli Durrës. 

Për një procedim të nëntorit 2018, KPK nuk ka konstatuar shkelje procedurale, por është evidentuar se dënimet ndaj të pandehurve kanë qenë minimale. Sipas Hamitajt, ky vendim është konfirmuar edhe nga Apeli që i ka ulur më shumë dënimet.


EMISIONET