Kovidi s'ndalet, Brazili gati 1 mln raste, mbi 8 mln e gjysmë të infektuar në botë

Gati 8 milionë e gjysmë të infektuar dhe më shumë se 450 mijë viktima nëpër botë. Ky është bilanci fatal që ka lënë pas deri tani koronavirusi i ri.

Brazili po i afrohet 1 milion rasteve dhe gati 50 mijë viktimave nga kovidi i ri.

Në shtetin latin, autoritetet konfirmuan të enjten mbi 22 mijë pacientë bartës të infeksionit ndërsa më shumë se 1,200 ishin jetët e humbura në 24 orë, një bilanc që përsëritet prej tri ditësh.

Që prej zbulimit të rastit të parë në shkurt, Brazili mban tashmë vendin e dytë në botë për totalin e infeksioneve, menjëherë pas SHBA-së që numëron dyfishin e rasteve apo mbi 2 milionë të infektuar.

Numri i viktimave në shtetet amerikane u rrit të enjten në 118 mijë, megjithatë vendi vijon të lehtësojë masat e ndalimlëvizjes dhe sipas ekspertit kryesor të qeverisë, në të ardhmen qasja e autoriteteve nuk do të jetë më izolimi i përgjithshëm por kontrolli i sëmundjes në zonat që raportojnë një shpërthim të papritur të epidemisë.

Shteti i Kalifornisë urdhëroi të gjithë qytetarët të mbajnë maska me të dalë nga banesat e tyre.

Më në jug të SHBA-së, Meksika raportoi të enjten një rekord rastesh apo 5,600 më shumë të infektuar, duke çuar edhe numrin e viktimave në afro 20 mijë.

Ndërkohë në kontinentin fqinj, në Azi, vendet si Japonia dhe Singapori të premten nisën të heqin kufizimet për bizneset, për drekat dhe darkat mes grupeve të vogla, edhe pse koronavirusi sipas autoriteteve kërcënon përsëritjen e një vale të dytë epidemike.

Në Seul, mediet koreanojugore informojnë se vendi me gjasë po humbet avantazhin dhe reagimin shembullor të mëhershëm ndaj sëmundjes infektive të kovidit, pasi prej gati një muaji çdo ditë vazhdon të raportojë mes 30 dhe 50 rasteve.

Më në perëndim, rrugët dhe aeroportet e Pekinit u boshatisën nga pasagjerët teksa Kina të premten konfirmoi teksa të infektuarit e rinj në rang vendi shkuan në 32 brenda ditës, 25 prej tyre vetëm në kryeqytetin kinez.

Edhe India raportoi gjatë ditës një numër rekord prej 13 mijë rastesh të reja që e çuan totalin në 380 mijë ndërkohë që viktimat kanë kaluar shifrën 12 mijë.

Disa nga zonat më të populluara indiane janë rifutur në izolim të paktën deri në fundin e qershorit.

Në Afrikë, ndërkohë, 267 mijë banorë janë infektuar dhe deri tani 7,200 prej tyre kanë gjetur vdekjen.

Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë informoi se me gjetjen e një vaksine kundër koronavirusit brenda vitit do mund të prodhoheshin disa qindra milionë doza për shtresat më të prekura, dhe deri 2 miliardë vaksina brenda fundvitit 2021.

Në gara laboratorike konkurrojnë më shumë se 200 mostra vaksinash anembanë botës, nga të cilat 10 janë në fazën e testimit te njerëzit.

EMISIONET