Kosovë: Pacientja e dyshuar me koronavirus rezulton negative

Kosovë: Pacientja e dyshuar me koronavirus rezulton negative

Një person i dyshuar me koronavirus po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendres Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Kështu bëri të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas përurimit të laboratorit të mikrobiologjisë, shkruan Telegrafi. Vitia tha se pas dy orësh do të dalin rezultatet për të konfirmuar nëse pacienti është ose jo i infektuar me koronavirus.

Gjithashtu në një deklaratë për gazetarët, ministri Vitia ka thënë se janë në gatishmëri përsa i përket situatës së koronavirusit dhe janë duke u përgatitur në çdo aspekt që nëse paraqitet ndonjë rast të merren masat e nevojshme. Vitia tha Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka punuar në mënyrë intensive gjatë këtyre javëve. ''Jemi duke u përgatitur në çdo aspekt që nëse veç paraqitet një rast me koronavirus të merren masat e nevojshme”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë tha se po ndjekin me vëmendje situatën, duke filluar nga SHSKUK-ja, kujdesi parësor shëndetësor, pikat kufitare etj.

“Janë duke u bërë të gjitha përgatitjet nevojshme pas aprovimit të Planit dhe është me fat që deri tani nuk kemi asnjë rast” tha ai, duke shtuar se për momentin nuk ka nevojë për panik dhe se nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me koronavirus në Kosovë.

Deri më tani Kosova ka pasur 3 raste të dyshuara me koronavirus, por të gjitha kanë rezultuar negative.

Pas njoftimit se Klinikën Infektive në Kosovë ndodhej një paciente e dyshuar me koronavirus, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar rasti i dyshuar doli negativ. Pra në Kosovë nuk ka asnjë person të prekur nga koronavirusi deri më tani.

“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2. Ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë”, thuhet në komunikatë.

EMISIONET