Kosovë, autoshkollat protestojnë, katër 4 muaj pa punë, rrezikohen pagesat e qirave, stafit instruktor

Kosovë, autoshkollat protestojnë, katër 4 muaj pa punë,

Federata e Autoshkollave të Kosovës është organizuar në protesta pasi autoritetet në vend nuk po i mundëson mbajtjen e provimeve prej rregullave të pandemisë. Situata epidemiologjike në vend është ende e paqëndrueshme, edhe pse po synohet ulja e testimeve për kovidin e ri.

Autoshkollat në Kosovë kanë protestuar për lehtësimin e masave penguese dhe për rikthimin në punë pas gati katër muajve bllokim për shkak të kovidit-19.

Rreth 100 vetura dhe instruktorë vendorë parakaluan të hënën para Ministrisë së Infrastrukturës për të ditur arsyet pse kërkesat e tyre po anashkalohen.

Për Federatën e Autoshkollave të Kosovës, sektori vazhdimisht nëpërkëmbet nga qeveritë ndërsa pezullimi i punës prej pandemisë po rrezikon pagesën e qirave dhe mirëqenien e qindra familjeve.

"Derisa punojnë taksitë , autobusët me 50 veta, derisa punojnë kafeterit, cila është arsye që ne nuk punojmë më i sigurt është një i ri me qëndrua 90 minuta në veturë me neve sesa me ndenjur në kafeteri ku janë 200 veta njëri me tjetrin."

"Vërtetë po shoh pakënaqësi tek njerëzit që nuk po punojnë, atëherë pakënaqësi se qeveritë tona prej pas luftës janë ndërrua si buka pa pjek nuk kanë arritur me u pjekur hiq, nuk kanë ditë çka me bo njëra duke e ndërrua tjetrën."

"Përgjigje nuk kemi marr nuk kemi fillua me punua ende kemi mbetur pa punë deri tash, kemi probleme edhe me kandidat të cilët janë regjistruar po kërkojnë me filli punën, disa po kërkojnë edhe me ua kthye paret e dhëna, pagesat po duhet m i kthye kështu që është një pakënaqësi shumë e madh."

Autoshkollat janë një nga sektorët që nuk po përfitojnë nga zbatimi i fazës së tretë të masave lehtësuese që Kosova nisi të aplikojë më 1 qershor.

Me rihapjen e çerdheve, kufijve tokësorë, bizneseve të gastronomisë dhe qendrave tregtare, vendi nuk po arrin të stabilizojë situatën epidemiologjike që rrezikon përkeqësimin prej dy javësh.

Që prej shfaqjes më 13 mars të rasteve të para, Kosova ka konfirmuar mbi 2,100 persona si bartës të koronavirusit dhe 37 viktima.

Me shtimin gjithnjë e më të madh të të infektuarve, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rekomandoi të hënën të ulet numri i testimeve për të mos marrë në analizë kontaktet e të prekurve me kovidin e ri nëse ata nuk shfaqin paraprakisht simptoma.

Në bazë të udhëzimeve të OBSH-së, testimet laboratorike do kenë si kriter pacientët me infeksion akut të traktit respirator, ata që kanë humbur shqisën e nuhatjes, shijes ose kanë një historik udhëtimesh apo vendbanimi në vatra infeksioni në 14 ditët e fundit.

EMISIONET