Presidenti Ilir Meta i dërgoi të hënën një letër homologut të tij italian Sergo Matarella, ku shpreh solidaritetin në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi. Meta mbështet masat e marra nga autoritetet italiane për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Sipas njoftimit të Kreut të Shtetit, mësohet se ai beson se masat e marra për parandalimin do të japin rezultate dhe do të kthejnë normalitetin.

Njoftimi i Presidencës: Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T. Z Ilir Meta i ka dërguar sot një letër Presidentit të Republikës të Italisë Sh.T.Z Sergio Mattarella, në të cilën shpreh solidaritetin e tij dhe të gjithë popullit shqiptar mbi situatën e krijuar së fundmi në vendin fqinj nga përhapja e virusit COVID-19, si dhe ngushëllimet për humbjet e jetëve nga ky virus.

Presidenti Meta mbështet masat e detyruara të marra me përgjegjësi të lartë shtetërore nga autoritetet Italiane dhe i vlerëson këto masa si mjaft të rëndësishme jo vetëm për Italinë por dhe për të gjithë rajonin.

Duke shprehur bindjen se përpjekjet e autoriteteve italiane për të izoluar këtë epidemi shpejt do të japin rezultate dhe do të kthejnë normalitetin në jetën e italianëve, Presidenti Meta nënvizon se angazhohet për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve shëndetësore të të dy vendeve në përballimin e kërcënimit të kësaj epidemie.

/Ora News.tv/