Koronavirusi ‘mbërrin’ në Kuvend, Manastirliu: Shqipëria me rrezik të ulët

Koronavirusi ‘mbërrin’ në Kuvend, Manastirliu:

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvend ka ritheksuar se në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në vendin tonë vazhdon të mbetet i ulët.

Numri dy i PS-së, Taluant Balla, i kërkoi një interpelancë ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për situatën me koronavirusin që ka shkaktuar më shumë se 350 viktima.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu ripërsëriti se Shqipëria mbetet me rrezik të ulët dhe pa asnjë rast të konfirmuar, megjithatë në gadishmëri me planet e emergjencës.

Manastirliu: Deri me sot, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të prekur nga ky virus. Rreziku për çdo individ varet nga ekspozimi dhe për popullatën tone rreziku aktual për shëndetin nga koronavirusi i ri mbetet i ulët. Megjithatë kemi shtuar masat në strukturat tona shëndetësore dhe në të gjitha pikat kufitare me Njësitë Shëndetësore për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri.

Transferimi i studentes shqiptare nga Wohan-i, sipas Manastirliut po bëhet në bazë të procedurave standarde.

Manastirliu: Për qytetarët shqiptarë në Kinë, ka patur një komunikim të vazhdueshem për transportin e tyre dhe janë marrë masat duke u ndjekur nga strukturat tona. Studentja shqiptare nga Wohan-i e cila është transportuar dhe aktualisht është në Ankara, është ndjekur ngushtë nga dy ministritë e linjës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të gjithë procedurat standard që ndiqen në këto raste.

Manastirliu deklaroi se task-forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve po ndjek hap pas hapi situatën.

Manastirliu: Task Forca e përbëre nga 24 ekspertë të institucioneve shëndetësore mblidhet çdo ditë për rivlerësimin e masave të marra dhe pas deklarimit të situatës shëndetesore emergjencë ndërkombetare nga OBSH, kam ngritur Komitetin teknik për parapërgatitjen në marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ministrja Manastirliu theksoi se pas shpalljes së situatës emergjencë globale edhe në vendin tonë janë shtuar masat për kontrollin, gjurmimin e rastit dhe izolimin e tij me gjithë logjistikën e nevojshme.





EMISIONET