Disa nga rajonet më të prekura me koronavirus shpresojnë të hënën t'i rikthehen normalitetit duke hapur shkollat dhe pikat më turistike për vizitorët. Ndërsa numri i pacientëve të infektuar rritet, shumë veta gjithashtu po dalin nga spitalet të shëruar. Problematika më të mëdha paraqesin moshat e treta.

Në Itali është rritur në afro 700 numri i të prekurve nga koronavirusi i ri, ndërsa viktimat kanë arritur në 17, nga të cilat 5 u regjistruan vetëm të enjten.

Ata ishin të gjithë të moshave mbi 80 vjeç dhe me organizëm të dobët.

Megjithatë, autoritetet janë shpresëplota pasi numri i pacientëve që po dalin nga spitali të shëruar po ndjek një trend pozitiv dita-ditës.

Gjendje të mirë shëndetësore po paraqet edhe pacienti numër 1, një 38-vjeçar i identifikuar si Matia që konsiderohet personi i parë i infektuar në Itali, pasi bartësi fillestar ende nuk është zbuluar.

Ai mësohet se ka dalë nga terapia intensive dhe po merr frymë pa ndihmën e pajisjeve spitalore.

Rreth gjysma e rajoneve italiane kanë raportuar raste të epidemisë me koronavirus.

Autoritetet shpresojnë që vendi t'i kthehet normalitetit së shpejti, dhe kjo do të sinjalizohet me hapjen e katedrales së Milanos për turistët dhe rifillimin e mësimit në shumë shkolla të vendit duke nisur nga dita e hënë.

Lombardia aktualisht numëron mbi 400 pacientë të infektuar, rajoni i Venetos mbi 100, dhe më pak Emilia-Romanja, Liguria, Siçilia e disa qytete të tjera.

/Ora News.tv/