7 muaj pas identifikimit të rasteve të para, epidemia e koronavirusit është shtrirë në mbarë globin duke prekur mbi 10 milionë persona e duke u marrë jetën 500 mijë të tjerëve.

Rreth 10 milionë persona në botë u konfirmuan të dielën si bartës të virusit SARS-Cov 2, teksa gati gjysmë milionë të tjerë nuk kanë mundur t'i mbijetojnë sëmundjes infektive.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virozat si gripi shkaktojnë kaq shumë viktima mesatarisht çdo vit, ndërsa në rastin e kovidit, bilanci tragjik është arritur në vetëm 7 muaj.

Amerika Veriore, Amerika Latine dhe Europa secila numërojnë rreth 25 për qind të rasteve, ndërsa në Azi dhe Lindjen e Mesme kjo përqindje zbret përkatësisht në 11 dhe 9 për qind.

Shumica e vendeve të botës kanë filluar të heqin masat e karantinës për të rivënë në lëvizje ekonomitë e tyre, por në fundjavë, dy nga shtetet e mëdha të SHBA-së si Teksasi dhe Florida u zmbrapsën, duke rikthyer disa nga rregullat e ashpra për bizneset më të frekuentuara.

Ekspertët mendojnë se hapja e hershme e vendeve dhe neglizhimi i rregullave të distancimit nga vetë popullsitë nëpër botë po bëjnë që të shtohen rastet e kovidit.

Infeksionet e para me koronavirus u raportuan në qytetin kinez të Uhanit më 10 janar, përpara se të përhapeshin më tej në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj në Rusi.

Tashmë pandemia ka hyrë në një fazë të re pavarësisht temperaturave, duke e zgjeruar gjeografinë me shtetet si India dhe Brazili të cilat raportojnë mbi 10 mijë raste të reja çdo ditë.

Vendet si Kina, Zelanda e Re dhe Australia gjithashtu kanë identifikuar vatra të reja infektimi gjatë muajit që po mbyllet, megjithëse e kishin ndalur thuajse krejtësisht transmetimin mes banorëve.

Kryeqyteti kinez ka rritur në 300 mijë procesin e testimit ditor teksa qindra njerëz mësohet të jenë infektuar gjatë vizitave në një treg ushqimor lokal.

Pakujdesia e qytetarëve dhe infrastruktura jo e duhur antikovid nuk ka kursyer ditët e fundit as vendet europiane më të zhvilluara, mes tyre Gjermania, e cila po i bën ballë një vale infeksionesh në rajonet më të populluara të vendit.

Pas SHBA-së që numëron aktualisht mbi 125 mijë viktima, për Europën, Britania e Madhe regjistron tani numrin më të madh të jetëve të humbura nga koronavirusi, rreth 43,500 të vdekur, ndjekur nga Italia me afro 11 mijë më pak viktima dhe Franca me gati 30 mijë viktima.

Sipas agjencisë globale të shëndetit, shpresohet që kërkimet për një vaksinë efektive kundër virusit t'i japin frytet vetëm vitin e ardhshëm.

/Ora News.tv/