Kosovë-Serbi, Hahn: Çdo marrëveshje s'duhet të ndikojë në stabilitetin e rajonit

BE nuk do të pranojë asnjë anëtar që ka probleme kufitare me fqinjët, por gjithashtu nuk do të lejojë që marrëveshjet dypalëshe të rrezikojnë stabilitetin në rajon. Ky ishte qëndrimi i eurokomisionerit Johannes Hahn, gjatë Samitit Informal të Kryeministriva të Ballkanit, pasi u pyet në lidhje me çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri shqiptar Edi Rama mbështeti qëndrimin e Hahn, ndërsa Ramush Haradinaj, pa patur në tryezë homologen serbe, u shpreh i vendosur që Kosova i ka kufijtë e saj dhe nuk është i nevojshëm korrigjimi i tyre.

Tiranë-  A e mbështet zoti Hahn korigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve? Cila është ideja më e pranueshme, apo Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë me këta kufij me të cilën e ka shpallur Pavarësinë?

Komisionieri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn ka këtë koment:  "Mendoj që nuk është e përshtatshme në këtë fazë të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat në vazhdim. Presupozoj se takimki javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë takimi i fundit.

Do të jetë një tjetër takim në vijim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje për rrjedhojë ju lutem kuptoni se nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment, veç atij që sigurisht siç është parashtruar në strategjinë e Ballkanit Perëndimor ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura mosmarrëveshjet dypalëshe."

Hahn nënvizoi se cila do të jetë marrëveshja e arritur ajo nuk duhet të ndikojë në stabilitetin e rajonit. 

Johannes Hahn:  E dyta: Ajo çfarë ka vlerë për ne është stabiliteti në të gjithë rajonin. Duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshjeje dy palëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Duhet të jetë e kundërta të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon. Cilido të jetë objektivi përfundimtar ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin duke zgjidhur mirëfillimi konfliktet dy palëshe.


Çfarë thotë Rama
Kryeministri Rama u shpreh se ndante të njëjtin qëndrim me komisionerin për zgjerimin e BE-së.

Edi Rama: "Keni dhe nënshkrimin tim të fjalës që sapo tha komisioneri" u shpreh Rama.

Hahn dhe kryeministri Rama iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve pas takimit informal të kryeministrave të rajonit që u mbajt sot paradite në Durrës. 

Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu

Po Haradinaj?
Por ndërsa komisioneri për Zgjerimin e BE-së nuk përjashton asnjë zgjidhje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, - i cili ndodhej po në Durrës - ështe i prerë kur thotë Kosova i ka kufijtë e saj dhe duhen respektuar.

Ramush Haradinaj: "Po flitet shumë për kufijtë, por Kosova i ka kufijtë e vet. I ka me Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, i ka me Maqedoninë, i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizenjim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi."

Kryeministri Rama iu përgjigj edhe interesit të medias për priteje e 20 refugjatëvë nga Eritrea, duke e quajtur këtë gjest europian, por pa prapavijë të fshehtë nga ana e vendit tonë.

Në Samitin e Durrësit munguan kryeministrat e Serbisë, Bosnjës dhe Bullgarisë.


Më 7 shtator është caktuar takimi në Bruksel i presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Pritet që ky takim të pasohet dhe me takime të tjera. 

Ndërkohë më 25 gusht, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, Hahn tha se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për ndryshim të kufijve, kjo nuk mund të përdoret si arsye për ndryshime kufijsh në vende tjera në rajon.

"Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera. Pra edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë me dije se kjo është një marrëveshje vetëm për këtë rast, që ne fund të ditës do të kontribuojë që të krijojë stabilitet, paqe dhe prosperitet në rajon”, u shpreh Hahn.

EMISIONET