Kopshti Botanik i kalon bashkisë, do bashkohet me atë Zoologjik

Kopshti Botanik i kalon bashkisë, do bashkohet me atë Zoologjik

Kjo hapësirë prej 15 hektarësh që përbën Kopshtin Botanik me Vendim të Këshillit të Ministrave prej datës 17 korrik i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës.

Më herët kopshti ka qenë pjesë e Universitetit të Tiranës dhe u shërbente studentëve, kryesisht atyre të Shkencave Natyrore.

Gazetarja e RTV Ora, Nertila Dosti raporton se pavarësisht se UT nuk ka më të drejta pronësie mbi Kopshtin Botanik, atij i garantohet e drejta për të ushtruar aktivitetet mësimore dhe veprimtaritë kërkimore shkencore në këtë hapësirë.

Po cili është projekti i Bashkisë së Tiranës për Kopshtin Botanik?

Afro 2 vite më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar masterplanin për Kopshtin Botanik dhe atë Zoologjik. Synimi është shkrirja e dy hapësirave në një të vetme.

Erion Veliaj: “Ajo që ne do të bëjmë është të bashkojmë gjithë zonën e Kopshtit Zoologjik me Kopshtin Botanik, pra qe edhe bota e bimëve dhe bota e kafshëve të jenë të përziera me njëra-tjetrën dhe jo të ndara me gardh e bileta. Me një biletë ne do kemi mundësi të shkojmë deri në fund të kopshtit Zoologjik të kalojmë kodrën dhe pastaj të futemi në një tjetër hapësirë të gjelbër që është Kopshti Botanik. Do kemi një hapësirë që është 4 herë më e madhe sesa kjo që kemi sot.”

Lidhja e dy zonave sipas projektit të atëhershëm të Bashkisë do të bëhet përmes një tuneli, ndërsa Veliaj ka përjashtuar mundësinë e ndërtimeve të reja në këtë hapësirë.

Kopshti Botanik i Tiranës u ndërtua në vitin 1964 ndërsa në të gjenden afro 2 mijë lloje bimësh.

EMISIONET