Shënohen sërish raste të reja me Covid-19 në qytetin e Elbasanit.

Burime për Ora News bëjnë me dije se është konfirmuar pozitiv me Covid-19 edhe një efektiv i drejtorisë vendore të policisë së Elbasanit.

Efektivi është pjesë e shërbimit rrugor dhe mendohet se është infektuar nga drejtori i shërbimit rrugor në Elbasan, i cili po ashtu u konfirmua me koronavirus pak ditë më parë.

Aktualisht nga radhët e forcave të rendit të Elbasanit janë 3 punonjës të konfirmuar me Covid-19.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit 2 pacientë kanë humbur jetën nga Covid-19, duke e çuar në 81 numrin total të viktimave.

Pas kryerjes së 409 testimeve rezultuan pozitivë 74 raste. Numri i të shtruarve në spital ka shkuar në 81.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë, Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnje, Mirditë, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastës, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe.

/Ora News.tv/