Komisioni i Venecias publikon raportin përfundimtar lidhur me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, në të cilin thuhet se vendimet e tij për shtyrjen e 30 qershorit nuk kanë bazë ligjore, por sipas tyre kjo nuk përben arsye për tu shkarkuar.  Ekspertët e Venecias, vendimmarrjen përfundimtare për Presidentin ja delegojnë Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Vetë Meta publikoi 5 gjetje të raportit të cilat sipas tij shprehen qartë se Presidenti  nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin final, mbi ligjshmërine e akteve të Presidentit Ilir Meta  për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa në thelb nga drafti qëndrimi nuk ndryshon. 

Ekspertët e Venecias i kanë cilësuar  dekretet e  Kreut të Shtetit, që tentoi shtyrjen e 30 qershorit si tejkalim kompetencash, por në këtë aspekt ata nuk shohin shkelje të rëndë kushtetuese.

Vendimmarrjen  përfundimtare  ja delegon Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

"Edhe pse u konstatua shkelje, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim të Presidentit, duke marrë parasysh kompetencat e Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese siç janë kontrollet dhe ekuilibrat".

Dokumenti  argumenton se zgjedhjet mund të shtyhen vetëm mbi një bazë të qartë ligjore. Për situatën aktuale, sipas ekspertëve të Venecias, Presidenti nuk i ka ndjekur rregullat kushtetuese.

“Një e drejtë e Presidentit për të shtyrë ose madje anuluar zgjedhjet është e diskutueshme dhe nuk mund të themelohet pa një bazë të veçantë ligjore. Është e nevojshme të ekzaminohet nëse një fuqi e tillë mund të rrjedh në situata emergjente.”

Ne konkluzionet e raportit thuhet
- Do të jetë Kuvendi dhe në fund Gjykata Kushtetuese ajo që do të përcaktojë nëse anulimi dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale do të thotë një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është e një karakteri serioz, e cila do të lejonte një shkarkimin e Presidentit.

- Siç përcaktohet në këtë mendim, një numër faktorësh tregojnë se mund të mos ketë qenë e nevojshme të vërtetohet një shkelje e rëndë. Ky shqetësim vjen, veçanërisht, kur Presidenti bën thirrje për dialog dhe se kërkesa e shtyrjes së zgjedhjeve do të kontribuonte në arritjen e një kompromisi midis palëve.

- Të gjithë këto arsye mund t'i sigurojnë Kuvendit elemente që synojnë një pikëpamje që Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë e zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një baza ligjore specifike dhe për rrjedhojë këto akte nuk mund të plotësojnë kriteret e nevojshme të seriozitetit të mjaftueshëm në rrethanat për të garantuar një fajësim të Presidentit.

-Në fund, edhe sikur të vërtetohej serioziteti i shkeljeve, kjo nuk do të duhej domosdoshmërisht të çojë në shkarkimin e Presidentit.

- Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për më tej në ndihmë të kësaj çështjeje.

Meta: Opinioni përfundimtar i Venecias pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak

Publikimin e opinionit final të Komisionit të Venecias, presidenti Ilir Meta, e priti me një skaner se si ai dhe juristët e tij e lexojnë.  

Kreu i Shtetit publikoi në rrjetet sociale 5 pika, ku thuhet se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.

"Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.  Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.  Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore".

Presidenti e mbyll postimin me një keqardhje, duke theksuar se gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian.

/Ora News.tv/