Pandemia dhe moslëvrimi i fondeve ka shtyrë në kohë procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019.

Edhe pse nuk ka përfunduar ende ndërtimi i objekteve kolektive në zonat e prekura nga tërmeti, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi hapjen e kantiereve të reja të ndërtimit.

“Jemi mbledhur për një projekt shumë ambicioz, më shumë sesa një projekt rindërtimi është një vizion për Tiranën e gjeneratës tjetër. Tërësia e projekteve që kanë filluar të zbatohen ose janë pranë fillimit të zbatimit janë një vizion për jetën komunitare dhe cilësinë e jetës familjare, në kushtet kur një fatkeqësi e madhe krijoi dhe një boshllëk të madh, por patjetër edhe një mundësi të madhe. Për ata që kanë pasionin dhe vullnetin për të rezistuar, transformimi i krizave në mundësi është rruga e vetme. Krizën e madhe të 26 nëntorit po e kthejmë në një mundësi të madhe transformimi.”

Qeveria ka prezantuar edhe planin e rindërtimit të Kombinatit të quajtur KombinArt, i cili do të shndërrohet në një pol të ri të kryeqytetit me 5 sheshe publike dhe 4 institucione të reja arsimore.

Gjatë prezantimit të planit për KombinArt, rindërtimin e Kombinatit, u prezantuan apartamentet e reja falas për familjet e prekura nga tërmeti, si një zonë me potencial zhvillimi për akomodimin e rreth 21 mijë banorëve. 

Aty do të ketë edhe 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë, Sheshi i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe Sheshi i Gastronomisë.

Kryeministri shprehet se Zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit si Laçi, Thumana dhe Durrësi do kthehen, pas procesit të rindërtimit do të transformohen, për t’u kthyer në mundësi për qytetarët.

/Ora News.tv/