Kombëtarja U-19/ Dede: Hapësira për lojtarët që luajnë këtu, kemi projekt 5 vjeçar

Kombëtarja U-19/ Dede: Hapësira për lojtarët që

Trajneri i kombëtares shqiptare U-19, Nevil Dede ka dal ditën e sotme në një konferencë për shtyp, ku ka folur për një mini-fazë që kjo grupmoshë do të zhvillojë në ditët e ardhshme në qytetin e Durrësit. Në fjalën e tij, Dede ka theksuar se fanella kuqezi është shumë e kërkuar nga kjo grupmoshë, por nëse i ofrohet një tjetër kombëtare, ata mund të zgjedhin atë.

"Është një grumbullim që bëhet për të parë elementët kryesorë që kanë qënë në skuadër dhe prurjet e reja që do të vijnë, si pasojë e testeve që kemi bërë të gjithë trajnerët e kombëtares, si në Greqi, Maqedoni dhe Itali. Si dhe në gjithë seleksionimet që janë bërë në territorin tonë, në Kategorinë Superiore për moshat përkatëse. Formacioni i parë që kam marrë është i mirë. Nuk mund të them më shumë pasi kur të mbaroj ky kamp mund të jap një ide më të qartë. Ka futbollist të talentuar dhe me të ardhme të paktën për momentin, pasi kjo moshë është tepër delikate. Të tilla mosha janë pak të vështira sepse pasi mbarojnë eksperiencën te U-19 dhe duan të kalojnë më tej, e kanë shumë të vështirë për të gjetur vend titullari në skuadrat respektive. Pra kalojnë periudha ulje-ngritjeje. Kemi element të mirë dhe kemi prurje të mëdhaja. Lista është e gjatë, afro 60 lojtarë dhe do të kenë vëmendjen time. I kemi të gjitha mundësitë për t’i ndjekur. Mbështetja është maksimale. Besoj se do të bëjmë një punë të mirë."

"Maqedonia është si një treg për të ushqyer moshat. Qëllimi kryesor është Kombëtarja A. Shqiptarët e maqedonisë kanë një dëshirë shumë të madhe për të veshur fanellën e ekipit Kombëtar.  Ky treg nuk ka qenë zero deri dje, por meriton një vëmendje të madhe dhe do të jenë të rëndësishëm për ne, pasi janë shqiptarë siç ka qenë Kosova. Edhe në Angli ka shumë shqiptarë dhe duhen parë për të forcuar ekipin tonë kombëtar."

"Të jem i sinqertë, Panuçi ka marrë pjesë ne seleksionimet që janë bërë në Itali, ndërsa në Maqedoni kam qenë me Mustedanagiç. Në Greqi ka qenë i gjithë stafi, duke përfshirë dhe trajnerin e U-21, Alban Bushi. Panuçi ka parë një pjesë të lojtarëve në Itali. Të jemi të sinqertë, disa futbollistë nuk kanë marrë pjesë për shkak të klubeve dhe Panuçi shprehet se do të ketë elementë të mirë nga atje. Në këtë moshë duhet rritja fiziologjike, e më pas rritja sportive. Jo vetëm në Itali e Greqi, por edhe në Shqipëri ka lojtarë të talentuar në këtë moshë. Ky besoj është një ogur i mirë për të gjithë ne. Klubet po mundohen të rikonstrukturohen dhe të fokusohen në ekipet e tyre zinxhir".

"Nuk flas dot për politikat nga Federata por me atë që kam informacion janë disa marrëdhënie me lojtarët e Kosovës, apo me shqiptarët në  Maqedoni dhe Zvicër. Me këto ka marrëdhënie pak më specifike. Ka edhe në shtete të tjera ku disa e shohin veten te Shqipëria, por ka edhe që duan të luajnë në vende të tjera. Janë zgjedhjet e tyre dhe nëse u jepet mundësia në Itali për të zgjedhur Italinë, ata e zgjedhin. Janë zgjedhje personale të ccdo kujt. Do të kërkojmë të marrim lojtarët më të mirë kudo ata të jenë. Duhet bashkëpunim me federatat përkatëse dhe me dëshirën dhe dashurinë që ata do të kenë për të luajtur me Shqipërinë.Një lojtar i U15 ose U17 ndoshta është i dashuruar pas Shqipërisë por më vonë rritet futen në lojë, menaxherët, klubet etj. Ne i quajmë “tradhtar”. Cdo njeri duhet të zgjedhë. Duhet sjellje dhe trajtim korrekt. Duhet përgjegjësi dhe seriozitet dhe të gjithë të ndihen të vlerësuar. Nëse ndihet i vlerësuar, nuk ka pse të mos vijë këtu. Është nder dhe kënaqësi të luash për Shqipërinë dhe nuk ka ndonjë fitim por vetëm rrit emrin. Me Kombëtaren është çështje nderi dhe përgjegjësie."

"Unë vazhdoj të them se nëse dy lojtarë janë të barabartë, them se do të jetë i avantazhuar ai që luan në Shqipëri. Nuk janë shqiptarë vetëm ata që luajnë në Shqipëri, shqiptarë janë dhe ata që luajnë në Maqedoni. Mund të jenë edhe 10% më shumë të avantazhuar. Kjo nuk është gabim. Ne duhet të ushqejmë futbollin shqiptar. Sa më shumë nxjerrim nga këtu, aq më shumë ndërgjegjësohen ekipet.Ka shumë raste si Flamurtari, Tirana, Laçi, që po aktivizojnë lojtarë nga ekipet U-19. Nëse vazhdojmë me këto politika atëherë pse jo. Kur nuk ka nuk kemi çfarë të bëjmë. Raporti do të jetë 60 për lojtarët shqiptarë dhe 40 për ata që vijnë nga jashtë. Pastaj politikat e klubeve janë të ndryshme."

" E zgjedhin ata nëse do iu besojnë lojtarëve të rinj apo do marrin futbollistë me eksperiencë. Nuk është një gjë e prerë me thikë. Nuk mund t’i kërkosh llogari klubeve. Unë mendoj që klubet shqiptare është mirë të fokusohet tek ekipet zinxhire. Minimalisht 4 apo 5 vjet është projekti. Momentalisht 80% apo 90% e klubeve shqiptare financojnë vetëm te ekipi i parë. Në të ardhmen, raporti do ndërrojë ”, u shpreh Dede

EMISIONET