Sipas të dhënave të një platforme të tregtisë elektronike, qysh nga shkurti i këtij viti, fluksi i frigoriferëve dhe i ngrirësve ka filluar të rritet dhe kërkesa për to jashtë Kinës në tre muajt e fundit është shtuar 327 %. Zheng Li, drejtorja e tregtisë ndërkombëtare në Kompaninë e Industrisë Ndërkombëtare "Wellcome" të Ningbos, tha:

"Nën ndikimin e epidemisë së koronavirusit të ri jashtë Kinës, njerëzit kërkojnë të rezervojnë shumë ushqime, prandaj eksporti i frigoriferëve dhe i ngrirësve është rritur shumë. Lidhur me kompaninë tonë, porositë tani arrijnë deri në gusht. Kapacitetet tona të prodhimit janë rritur 50 % në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të fundit. E megjithatë, ende s'mund të plotësojmë kërkesat jashtë Kinës."

70% e frigoriferëve dhe e ngrirësve në botë janë nga Kina, që rifilloi e para prodhimin pas ndodhjes së epidemisë. Tani kërkesat jashtë Kinës janë të mëdha dhe oferta s'mund të përmbushë kërkesën. Njëkohësisht, tregtia elektronike ka shfaqur epërsinë e saj. Zheng Li tha se, në situatën e tanishme, shumë ekspozita s'mund të zhvillohen, por tregtia elektronike ndërkufitare ofron kanale të ndryshme të shitjes.

"Tregtia elektronike ndërkufitare është rritur shumë, të paktën 200 %. Kërkesa ditore në uebsajtin e tregtisë ndërkombëtare të 'Alibaba'-s u rrit nga 100 më parë në mbi 500," theksoi ajo.

Cao Jie nga Departamenti i Komunikimit Publik dhe i Konsumatorëve i "Alibaba"-s tha se platforma e tyre do të ndihmojë më shumë ndërmarrje të mesme e të vogla të zgjerojnë kanalet e tregtisë:

"Uebsajti i tregtisë ndërkombëtare i 'Alibaba'-s ndihmon ndërmarrjet e mesme e të vogla që merren me tregtinë e jashtme të dalin nga vështirësitë dhe të kërkojnë raste në mbarë botë. Në sfondin e epidemisë, në mars të këtij viti, kompanitë e regjistruara në uebsajtin e 'Alibaba-s' u rritën 194% në krahasim me shkurtin dhe vëllimi i tregtisë u shtua 167 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përveç kësaj, do të zhvillojmë veprimin e ndihmës për 200 mijë ndërmarrje të mesme e të vogla që do të zgjatë 5 muaj, dhe do të ofrojmë paketa për ngritjen e nivelit të ndërmarrjeve që sapo janë regjistruar në uebsajtin tonë." 

/Marre nga CRI/ 

/Ora News.tv/