Kina kundërshton shmangien e përgjegjësisë nga ShBA-ja për pakësimin e armëve bërthamore

Kina kundërshton shmangien e përgjegjësisë nga ShBA-ja

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying u shpreh në një konferencë shtypi se pala kineze kundërshton lidhjen që pala amerikane i bën problemit të pakësimit të armëve bërthamore me Kinën, me qëllim që të shmangë përgjegjësinë e vet.

Sipas njoftimeve, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha në një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve me homologun e vet rus Sergei Lavrov se dialogu mbi kontrollin e armëve duhet të zgjerohet e Kina duhet të përfshihet në të. Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, Hua tha:

"Pala kineze ka ritheksuar shumë herë se nuk dëshiron të marrë pjesë në të ashtuquajturat 'Bisedime trepalëshe Kinë-ShBA-Rusi mbi kontrollin e armëve'. Qëndrimi yt është i qartë dhe ka mirëkuptimin e bashkësisë ndërkombtare, duke përfshirë Rusinë. Pala amerikane gjithmonë e lidh problemin e pakësimit të armëve bërthamore me Kinën, për të shmangur përgjegjësinë e vet. Pala kineze e kundërshton një gjë të tillë."

Hua tha gjithashtu që pala kineze mendon se, si vendi me arsenalin bërthamor më të zhvilluar në botë, ShBA-ja duhet të mbajë një përgjegjësi të veçantë për pakësimin e armëve bërthamore. ShBA-ja duhet të reagojë për zgjatjen e "Traktatit të ri për pakësimin e armëve strategjike sulmuese" të paraqitur nga Rusia dhe duhet të pakësojë arsenalin e vet të madh të armëve bërthamore, duke krijuar kushtet që vendet e tjera bërthamore të marrin pjesë në bisedimet shumëpalëshe të pakësimit të armëve bërthamore:

"Nëse ShBA-ja kujdeset vërtet për stabilitetin strategjik global, duhet të ndalojë shkeljen e marrëveshjeve e tërheqjen prej tyre, dëmtimin e ekuilibrit të stabilitetit strategjik global e kundërvënien mes vendeve të mëdha dhe duhet të kthehet në rrugën e duhur të multilateralizmit e të ruajtjes së rendit ndërkombëtar sipas ligjit ndërkombëtar. ShBA-ja duhet të ruajë gjithashtu autoritetin dhe efektivitetin e sistemit të ligjit mbi kontrollin e armëve dhe parandalimin e përhapjes."

Hua theksoi në fund se pala kineze dëshiron që të vazhdojë të forcojë komunikimin e bashkërendimin me palët e ndryshme në korniza të tilla si Konferenca për Çarmatimin e mekanizmi i pesë vendeve bërthamore, dhe të zhvillojë bisedime mbi temat lidhur me stabilitetin strategjik global, për të dhënë kontribut pozitiv për paqen e sigurinë globale. 

/Marre nga CRI/ 

EMISIONET