Katastrofa nga moti i keq, 44 të vdekur në Brazil dhe mijëra të pastrehë

Katastrofa nga moti i keq, 44 të vdekur në Brazil dhe mijëra

Të paktën 44 njerëz kanë vdekur për shkak të shirave të mëdha, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në Brazilin juglindor.

Në të njëjtën kohë 19 persona të tjerë janë deklaruar të humbur dhe 12 persona u plagosën, thanë zyrtarët lokalë të Mbrojtjes Civile.

Viktimat nuk janë identifikuar akoma. Shumë u varrosën nga rrëshqitjet e tokës ose në mbeturinat e shtëpive të rrënuara, të cilat në shumë pjesë më të varfëra të Brazilit janë ndërtuar në mënyrë jo cilësore.

Zyrtarët thanë se rreth 17,000 njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre në 58 qytete në të gjithë shtetin Minas Gerais, përfshirë në kryeqytetin Belo Horizonte, si dhe në zonat e afërta. Më shumë se 10,000 të tjerëve ju desh të iknin në dy shtete fqinje.

Pamjet e marra nga toka dhe ajri, disa të postuara në mediat sociale, treguan katastrofën e krijuar nga moti i keq me shtëpi të dëmtuara, pemë dhe shtylla të rrëzuara, lumenj të tejmbushur, ura të shembura dhe lagje të përmbytura.

Shirat e rrëmbyeshëm, niveli më i lartë i reshjeve i regjistruar në 110 vjet- u lehtësuan të dielën, por autoritetet thanë se rreziku i rrëshqitjeve të reja të tokës do të vazhdojë deri të premten në qytete në zonën Belo Horizonte.

Nga India, ku është në një udhëtim zyrtar, Presidenti Jair Bolsonaro tha se qeveria po bënte "gjithçka të mundshme", ndërsa shtoi se në një zonë kaq të madhe "është e vështirë t'u shërbesh të gjithëve".

Ministri i Zhvillimit Rajonal Gustavo Canuto dhe Guvernatori Romeu Zema i shtetit Minas Gerais fluturuan mbi zonën e prekur dhe premtuan më pas në një konferencë shtypi se do të ofrojnë ndihmë për të pastrehët. Ata njoftuan ndihmë të menjëhershme prej 22 milion dollarësh.

Zema paralajmëroi se pa politika publike të qëndrueshme, afatgjata për të zvogëluar zonat në rrezik, "ne do të shohim gjëra të tilla shumë herë."

Por në Vila Bernadete, një lagje në buzë të Belo Horizonte, ku gjashtë vetë vdiqën nga rrëshqitja e tokës që rrëzoi shtatë shtëpi në kodër, një banor, Audemar Carneiro, tha se u kapën në befasi dhe zona nuk ka qenë asnjëherë e rrezikuar.

"Asgjë e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë këtu," i tha AFP 51-vjeçari.

"Ishte një vend mjaft i sigurt ... Ishte një tragjedi e pa paralajmëruar".

EMISIONET