I ftuar në RTV Ora, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso u shpreh se PD ka propozuar që krimet zgjedhore të futen te krimet e rënda dhe nën ombrellën e SPAK.

Kaso shtoi se PD-ja gjithashtu ka propozuar që partitë politike të financohen plotësisht nga shteti, por mazhoranca ka qenë kundër këtij propozimi.

Kaso: Kemi propozuar që krimet zgjedhore të futen te krimet e rënda dhe nën ombrellën e SPAK. Ky propozim është bërë në nivel ekspertësh dhe kemi bërë hapa përpara drejt një dakordësie. Po ashtu, kemi bërë edhe propozime në lidhje më rolin që duhet të ketë policia e shteti në procesin zgjedhor. 

Propozimi ynë në lidhje me financimin e partive politike ka qenë shumë i qartë dhe i qëndrojnë këtij propozimi. Kemi propozuar që të financohen 100% garuesit politikë nga shteti duke hequr financuesin privat, pasi jemi të bindur se kostoja e financuesve privatë të politikës është një kosto që bie drejtpërdrejt në kurriz të taksapaguesve.

Kemi pasur një mungesë dakordësia e mazhorancës në pushtet në lidhje me këtë, pasi e kanë cilësuar këtë financim publik si diçka të parakohshme dhe jo të zbatueshme në vendin tonë. Në parim është rënë dakord që ky financim të adresohet, jo vetëm të fushatave zgjedhore, por edhe në lidhje me partitë politike në përgjithësi. 

/Ora News.tv/