Kapja e 613 kg kokainë, “zhduket” Arbër Çekaj

Kapja e 613 kg kokainë, “zhduket” Arbër Çekaj

Arbër Çekaj pronar i kompanisë së Arbër Garden, që porositi ngarkesën me banane në kontenierin, e së cilës u gjetën 613 kilogramë kokainë, nuk rezulton të jetë në adresën që ka dhënë në Gjermani. 

Burime nga grupi hetimor  bëjnë me dije se menjëherë pas shpalljes së kërkimit ndërkombëtar,  për Çekajn ka nisur verifikimi i vendndodhjes  së tij,  por  deri tani nuk rezulton te jetë gjetur.

Çekaj deklaroi gjatë një bisede telefonike se do të vihej në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të sqaruar pozicionin e tij ne lidhje me sasinë e kokainës,  por deri tani  kjo gjë nuk ka ndodhur. 

Ai u largua në drejtim të Gjermanisë tre dite para se policia të kapte dhe sekuestronte sasinë e lëndës narkotike .

 Ndërkohë prokuroria e krimeve të rënda ka nisur verifikimin  e pasurisë për dy personat e arrestuar në lidhje me ngarkesën 613 kilogramë kokainë në Durrës më 27 shkurt.

Grupi i hetimit ka kërkuar të dhëna për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve Donaldo Lushaj, menaxher i kompanisë porositëse të ngarkesës me banane dhe Armando Pezaku, shoferi që transportonte kontejnerin.

 Hetim pasuror po zhvillohet edhe për biznesmenin Arbër Çekaj, pronar i kompanisë porositëse të ngarkesës me banane ku u gjet kokaina. Prokuroria u ka dërguar kërkesa bankave hipotekave dhe zyrave të transfertave të parave për veprimet e këtyre tre shtetasve. Tre personat akuzohen se kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkohë që javën tjetër gjykata e apelit për krime të rënda pritet të shqyrtojë kërkesat për apelimin e masave te sigurisë për dy të arrestuarit.

EMISIONET