Kapja e 1.6 ton kanabis, në Shqipëri po hetohen lidhjet e të arrestuarve në Greqi

Kapja e 1.6 ton kanabis, në Shqipëri po hetohen lidhjet e të

Policia shqiptare ka nisur shkëmbimin e informacioneve me palën greke pas kapjes së gomones me 1.6 ton drogë në afërsi të Athinës. Hetimet e policisë janë përqendruar në dy drejtime, identifikimin e rrjetit të personave të lidhur me këtë aktivitet kriminal dhe përcaktimin e zonës së bregdetit të Shqipërisë nga ku është bërë nisja e ngarkesës me kanabis.    

Policia shqiptare fillon shkëmbimin e informacionit me palën greke pas kapjes së ngarkesës me 1.6 ton drogë në zonën pranë Athinës dy ditë më parë.

Organet e rendit në Shqipëri kanë nisur verifikimet me qëllim përcaktimin e zonës nga e cila është nisur gomonia me lëndë narkotike dhe zbardhjen e rrethit të personave të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Në bordin e gomones ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian, të cilët u arrestuan ndërsa aksioni ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme me kapjen e një biznesmeni që besohet se ka lidhje me këtë linjë trafiku.

Në komunikatën e policisë greke pas aksionit thuhet se një prej të arrestuarve u dërgua në spitalin "Evangelismos", por nuk sqarohet nëse kjo u bë për shkak të ndonjë plage, si dhe nuk bëhet e ditur shtetësia e tij.

Nga ana tjetër mediat greke kanë raportuar se gjatë operacionit ka pasur të shtëna me armë gjatë ndjekjes së gomones në det të hapur.

Sasia e kanabisit që transportonte gomonia ishte 1,6 ton, ndërkohë që gjatë ndjekjes trafikantët kishin hedhur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.

Paralelisht me këtë operacion në zona të ndryshme të Athinës u zhvilluan disa kontrolle, ku u arrestuan shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve shqiptarë, një italian, një bullgar dhe një grek. Në mesnatë po ashtu është arrestuar dhe një biznesmen i njohur, ndërsa u sekuestrua një tjetër gomone, me katër motorë 350 kuaj fuqi, si dhe armë.

Policia greke e ka cilësuar operacionin si asgjësim të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke thënë se kishte informacionin e plotë për një gomone e cila u nis prej Greqisë për të marrë lëndën narkotike në Shqipëri. Krahas anijeve të policisë bregdetare për kapjen e saj u mobilizuan helikopterë të agjencisë evropiane Frontex, si dhe snajperë të forcave speciale.

Ata u vendosën në pika kyçe, nga mendohej se do të kalonte itinerari i skafit të drogës.

Gomonia ka qenë nën survejim që kur u drejtua për në brigjet shqiptare, ku mori ngarkesën e drogës dhe më pas hyri në ujërat greke ku pas ndjekjes u bë ndalimi i saj dhe sekuestrimi i kanabisit.

EMISIONET