Kanye West për president? Mesazhi i 43-vjeçarit: Të realizojmë premtimin e Amerikës

Kanye West për president? Mesazhi i 43-vjeçarit: Të

Këngëtari Kaniei Uest ka provokuar debat me shpalljen e kandidaturës për presidencën e ardhshme amerikane. 43-vjeçari që njihet si admirues i kreut aktual të shtetit, Donald Trump, thotë se do të realizojë ëndrrën që ofron Amerika.

Teksa mbeten katër muaj nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë, muzikanti me famë botërore, Kaniei Uest, ka habitur duke thënë se do i bashkohet garës për postin më të lartë të shtetit, përballë kryeshtetarit aktual, Donald Trump, dhe rivalit demokrat, Xho Bajdën.

Objektivi i këngëtarit, kompozitorit dhe modelistit 43-vjeçar u bë i njohur në fundjavë me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Uest ndër vite ka treguar synimin për të ardhur dikur në krye të SHBA-së, ëndërr që ai është deklaruar se mund ta bëjë realitet në 2024-ën.

"Tani duhet të realizojmë premtimin e Amerikës me besimin te Zoti, duke unifikuar vizionin e duke ndërtuar të ardhmen tonë. Unë do garoj për president të Shteteve të Bashkuara," shkroi këngëtari në Twitter.

Shpallja e kandidaturës nga Uest në ditën simbolike të Pavarësisë së SHBA-së u komentua me skepticizëm madje edhe si truk për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Ndërkohë, nga ana ligjore, për të marrë pjesë në një proces elektoral, 43-vjeçarit Uest i nevojitet të përmbushë edhe kërkesa që lidhen me dorëzimin e dokumentacionit në të 50-ta shtetet amerikane, që mësohet se ai nuk e ka bërë ende kur mbeten shumë pak muaj nga zgjedhjet.

Sondazhet aktualisht nxjerrin fitues ish-zëvendëspresidentin 77-vjeçar Bajdën që në disa anketa rezulton me shifra dyshifrore përpara kreut të tanishëm të shtetit, 74-vjeçarit, Trump.

Këngëtari Uest më herët ka pranuar se ka kaluar probleme të shëndetit mendor.

Prej vitit 2014 ai është martuar md personalitetin tjetër të televizionit amerikan, Kim Kardashian, me të cilën ka sjellë në jetë edhe katër fëmijë.

Çifti disa herë ka lobuar në Shtëpinë e Bardhë për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë, ndërsa vetë Uest ka shprehur simpati për presidentin aktual, Trump.

EMISIONET