Kancelari i Austrisë humb votëbesimin në Parlament

Kancelari i Austrisë humb votëbesimin në Parlament

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz dhe qeveria e tij kanë humbur votëbesimin e parlamentit në një seancë të posaçme.  Ky vendim erdhi pasi zv/kancelari, i cili ishte edhe kreu i partisë në koalicion u përfshi në një skandal korrupsioni.

Mocioni i mosbesimit u mbështet nga ligjvënësit e Social-Demokratëve dhe të partisë së ekstremit të djathtë Liria, e cila ka qenë në koalicion me Kurzin, ndërsa ky i fundit e ka ndërprerë aleancën me të, javën e kaluar.

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, duhet të emërojë tani një kancelar për të formuar një qeveri tranzitore, e cila do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që pritet të mbahen në shtator.

Kriza politike në Austri nisi dhjetë ditë më parë, si pasojë e shfaqjes së një videoje, që supozohej se tregonte zëvendëskancelarin Heinz-Christian Strache duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.

Kurz, 32 vjeç, u bë lider i parë austriak në më shumë se shtatë dekada që u hoq nga pushteti nga ligjvënësit e tjerë.


EMISIONET