Kamerat filmojnë studenten greke, para fundit tragjik, të arrestuar një shqiptar dhe një grek

Dy të rinj, një 19-vjeçar shqiptar dhe një 21-vjeçar grek, akuzohen nga policia helene për vrasjen e studentes Eleni Topalidhi.

Sipas autoriteteve, shqiptari i ka pranuar akuzat e policisë, ndërsa shtetasi grek me origjinë nga ishulli i Rodhosit vijon t’i mohojë ato.

Policia i ngriti menjëherë akuzat ndaj dy të rinjve pasi shqyrtoi pamjet e kamerave të sigurisë.

Në një video të publikuar nga gazeta greke "Dimokratia", duket takimi i studentes greke Eleni Topalidhi me 19-vjeçarin shqiptar natën e krimit.

Pamjet janë marrë nga një kamera e një dyqani që ka fiksuar çastin kur shqiptari dhe vajza takohen për t’u larguar së bashku drejt shtëpisë ku ndodhi vrasja.

Dy të rinjtë e vranë studenten pasi ajo refuzoi dhe i rezistoi kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

Kur Topalidhi refuzoi, dy të rinjtë u bënë të dhunshëm. Shqiptari i tha policisë se shoku i tij e qëlloi vajzën me një objekt metalik në kokë.

Pasi vajza ra në tokë pa ndjenja, dy të rinjtë e transportuan trupin në Lindos dhe e hodhën në det, ku dhe u gjet e pajetë më 28 nëntor.

Ndërkohë, policia gjeti të enjten sendin prej hekuri me të cilin u godit studentja dhe rrobat e saj.

Avokati i familjes Topalidhi i ka kërkuar gjykatës që të ndërtojë së bashku me dy të rinjtë skemën e vrasjes dhe gjithçka ata bënë natën e krimit.

Hetimet treguan se 21-vjeçarja, Eleni Topalidhi, nuk vdiq për shkak të plagëve të marra në kokë, por kur u hodh në det.

Dy të rinjtë janë njohur me njëri-tjetrin në palestër, ndërsa shtetasi grek e njohu Elenin në Facebook.

Trupi i të ndjerës u përcoll për në Alexandroupoli.

EMISIONET