Merkato e verës është ende larg, por pavarësisht kësaj kampionët në fuqi të Italisë, Juventusi po përgatitet për dy goditje mjaft të mëdha. Bëhet fjalë për mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba dhe mbrojtësin brazilian të Realit të Madridit, Marcelo, që sipas gazetës torineze "Tuttosport" pritet të veshin fanellën bardhezi duke nisur nga sezoni 2019-2020.

Për Pogba ky do të ishte një rikthim në "Allianz Stadium" pas eksperiencës së tij gjatë viteve 2012-2016, përpara se të transferohej te Manchester United në verën e vitit 2016. Francezi nuk po kalon një situatë të qetë te "djajtë e kuq" pasi marrëdhënia e tij me teknikun Jose Mourinho është tepër e tensionuar dhe kjo situatë mund të ndihmojë bardhezinjtë të arrijnë te mesfushori 25 vjeçar.

Sa i përket Marcelo situata është më e ndërlikuar, me brazilianin që vetëm pak ditë më parë i ka shprehur vendimin e tij klubit të Realit për tu pensionuar në "Santiago Bernabeu" . Megjithatë dëshira për tu bashkuar me ish-shokun e tij te 'Galaktikët', Cristiano Ronaldon, mund ta shtyjë brazilianin të transferohet në Seria A.

Mbetet të shihet se çdo të ndodh deri atëherë, por një gjë është e sigurtë: me merkaton e viteve të fundit gjithçka është e mundur.



/Ora News.tv/