Qeveria britanike ishte përgatitur për skenarin e vdekjes së kryeministrit Boris Xhonson nëse ai nuk do i mbijetonte dot betejës me koronavirusin. Kreu i ekzekutivit tregoi në fundjavë detaje të situatës më të vështirë të jevës dhe zotimin e tij për të punuar më fort për ta mundur pandeminë që kanos vendin.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, ka zbuluar se muajin e kaluar ai rrezikoi realisht jetën nga koronavirusi ndaj edhe qeveria kishte plane rezervë nëse për këtë rast.

55-vjeçari kaloi dhjetë ditë në izolim pas diagnostikimit me virusin vdekjeprurës në fundin e marsit, por gjendja e tij u rëndua aq sa iu ofrua kujdes intensiv në repartin e reanimacionit në Spitalin e Shën-Tomasit në Londër.

"Ishte e pabesueshme se si shëndeti m'u përkeqësua në atë gradë brenda pak ditëve. Për mua pritej të zbatohej e njëjta strategji si për vdekjen e Stalinit. Qeveria kishte një plan rezervë. Doktorët më dhanë një maskë, litra të tërë oksigjeni për një kohë të gjatë. Momenti më i keq erdhi kur u përballëm me vendimin për të futur një tub nga fyti, dhe nis të mendojnë se si do ia prezantojnë këtë lajm publikut. Por puna e infermierëve ishte e mrekullueshme," tregoi kreu i qeverisë britanike në një intervistë për gazetën vendëse, "The Sun".

Johnson u rikthye në punë të dielën, me dëshirën e madhe, thekson ai, për të luftuar sëmundjen infektive dhe për ta ngritur sërish në këmbë vendin.

Të mërkurën ai gjithashtu priti ardhjen në jetë të djalit të tij, që e quajti Uilfred Louri Nikolas Xhonson, me shtesën Nikolas në respekt të dy doktorëve që i shërbyen atij në spital muajin e kaluar.

Këtë javë Xhonson pritet të paraqesë planin se si Britania e Madhe do lehtësojë masat e karantinës.

Një ditë më parë, pandemia Covid-19 u shkurtoi jetën 621 qytetarëve të tjerë në vend, duke e çuar mbi 28 mijë bilancin e viktimave, më i larti në Europë pas Italisë.

Por sipas autoriteteve numri i atyre që marrin trajtim në spital është ulur nga java e mëparshme.

/Ora News.tv/