Presidenti serb Vuçiç është dakordësuar për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç në një intervistë për Zërin e Amerikës (versioni në gjuhën serbe) ditën e djeshme (6 mars).

Jeremiç tha se "SHBA ka pritshmëri të larta nga Beogradi për Prishtinën menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi dhe se ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës."

Jeremiç shtoi se "administrata e lartë amerikane pret që marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të konkludojnë në muajin nëntor".

Jeremiç: Një gjë e cila është pezull gjatë gjithë kohës, është çështja e Kosovës, çka ishte edhe tema kryesore e diskutimit të Aleksandër Vuçiç këtu, dhe bashkëbiseduesit e mi në Uashington nuk e fshehën diçka të tillë. SHBA ka pritshmëri të larta nga Beogradi për Prishtinën menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi. Gjithashtu pohova dyshimin tim se bashkëbiseduesi i Vuçiç, Hashim Thaçi, është një aktor i besueshëm për të prodhuar atë që është dakordësuar, pasi kompozimi politik në Prishtinë është i ndarë.

Unë kam pritshmëri se ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Sipas meje ambasadori Grenell dhe administrata e lartë amerikane pret që marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të konkludojnë në muajin nëntor. Referuar mendimit tim, asnjë nga bashkëbiseduesit e mi në Uashington, nuk e kundërshtoi analizën time. 

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse kjo marrëveshje do të thotë njohje e Kosovës, Jeremiç shprehet se kjo do të thotë futjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara me të drejta si gjithë vendet e tjera.

Jeremiç ka shtuar se një marrëveshje për futjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara do të ishte një dhunim direkt dhe flagrant i kushtetutës serbe.

VOA: Nëse flasim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, do të thotë kjo një njohje të Kosovës?

Jeremiç: Kjo të thotë Kosova në Kombet e Bashkuara me gjithë kapacitetet, me të njëjtat kompetenca si Serbia, Franca, Greqia, si të gjithë shtetet e tjera në OKB. 

VOA: Cili do të jetë reagimi juaj?

Jeremiç: Pozita jonë është e qartë. Çdo lloj marrëveshjeje që do të vinte në pikëpyetje integritetin territorial të Serbisë nuk është e pranueshme për opozitën serbe. Marrëveshja për futjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara do të ishte një dhunim direkt dhe flagrant i Kushtetutës tonë dhe ne jemi kundër një gjëje të tillë. 

Jeremiç ka qenë në Uashington për të folur me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, kongresmenë dhe senatorë. 

/Ora News.tv/