Kategoria Superiore ka mbyllur javën e 16-të të saj, teksa kryesimin e mban Partizani, i shkëputur me 5 pikë nga ndjekësit. Të kuqtë numërojnë 35 pikë, kundrejt 30 të Skënderbeut dhe Kukësit që qëndrojnë në vendin e 2-të dhe të 3-të në renditje.

Surpriza e këtij sezoni, Teuta, ndali arratinë e Partizanit këtë fundjavë, ku mori një pikë dhe qëndroi në vendin e katërt me 29 pikë. Vetëm vendi i 5-të për Laçin, që pavarësisht humbjes me Flamurtarin qëndron një pikë më shumë se vlonjatët që pozicionohen të 6-it me 25 pikë.

Kjo fundjavë ishte frytdhënëse dhe për Tiranën që u rikthye tek fitorja pas 9 javësh mungesë. Me këtë fitore bardheblutë numërojnë 14 pikë në vendin e 7-të, një pikë më shumë se Luftëtari dhe dy më shumë se Kamza. Vendi i fundit për Kastriotin, që këtë javë u mposht me "poker" nga Tirana.

Pra, bie në sy është se kampionati është ndarë në dy grupe, me 6 skuadra që luftojnë për 3 vendet që të dërgojnë në Evropë dhe me 4 skuadra që duan të shmangin dy pozicionet që të dërgojnë një kategori më poshtë në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë java e ardhshme sjell sërish takime interesante. Siparin e hap derbi i kreut, Partizani-Kukësi. Laçi mat forcat me Tiranën, ndërkohë që Flamurtari ka një takim delikat përballë Kamzës. Duel mjaft i ndërlikuar për Kastriotin, me krutanët që do tentojnë të marrin pikë përballë Teutës. Java e 17-të mbyllet me duelin Skënderbeu-Luftëtari, i cili premton spektakël.




/Ora News.tv/