Japoni, mbi 50 viktima nga përmbytjet

Japoni, mbi 50 viktima nga përmbytjet

Rajonet jugore të Japonisë po kalojnë prej ditësh kohët më të vështira për shkak të shirave të dendur dhe përmbytjeve që deri tani u kanë marrën jetën mbi 50 personave.

Të paktën 52 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 të tjerë rezultojnë të humbur si pasojë e shirave të rrëmbyer që nga e premtja e kaluar kanë përfshirë jugun e Japonisë.

Teksa rreth 40 mijë forca shpëtimi dhe ushtarakë vijonin operacionet për gjetjen e të mbijetuarve, reshje edhe më të dendura goditën të martën rajonin ishullor të Kjushusë.

Një grua 87-vjeçare ndërroi jetë në spital pasi u gjet në shtëpinë e saj të përmbytur një ditë më parë, duke e çuar në 51 numrin e viktimave vetëm në kryeqytetin Kumamoto të prefekturës.

Mes viktimave, pa shenja jete u gjetën fundjavën e kaluar edhe 14 banorët e një klinike për të moshuarit që nuk i mbijetuan dot vërshimit të ujërave të lumenjve në ambientet ku ata jetonin.

Me kalimin e orëve autoritetet presin që bilanci të rëndohet ndërsa paralajmëruan rreziqe prej përmbytjeve në qytetet e tjera të afërta, mes tyre Nagasaki.

Evakuimi po bëhet më i vështirë në rrethanat e pandemisë së kovidit të ri, që në vend ka prekur më pak se 20 mijë veta dhe ka lënë më pak se 1 mijë viktima.

"Shirat kanë dobësuar qëndrueshmërinë e terrenit, ndaj i druhemi rrëshqiteve të tokës edhe po nga shiu më i lehtë. U kërkojmë banorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të kenë kujdes nga daljet e lumenjve nga shtrati. Për sa i përket koronavirusit, duhen ndjekur masat, të shmangen zonat e populluara, të ngushta dhe kontaktet me njerëzit në qendrat e evakuimit."

Reshjet në qytetet jugore japoneze arritën të hënën rekordin më të lartë historik, rreth 109 milimetra shi brenda orës.

Përmbytjet e sivjetme janë fatkeqësia më e rëndë natyrore me të cilën ndeshet vendi pas tajfunit "Hagibis" që goditi tetorin e kaluar, duke lënë për pasojë rreth 90 të vdekur.

EMISIONET