Izraeli mban zgjedhjet e treta, pjesëmarrje e ulët nga koronavirusi

Izraeli mban zgjedhjet e treta, pjesëmarrje e ulët nga  koronavirusi

Banorët e Izraelit i janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar qeverinë e ardhshme për herë të tretë brenda vitit. Kryeministri Benjamin Netanjahu kërkon mandatin e katërt radhazi.

Izraeli zhvillon të hënën zgjedhjet e treta pasi asnjë nga dy grupimet kryesore prej më pak se një viti nuk po arrin të sigurojë shumicën parlamentare.

Kryeministri i djathtë i partisë Likud, Benjamin Netanjahu po kërkon të fitojë një tjetër mandat ndonëse vetëm dy javë më pas përballet me padi penale për akuzat e korrupsionit dhe mashtrimit.

Rivali i tij kryesor është ish-shefi i ushtrisë, Beni Ganx, nga aleanca "Bardheblu".

Secili pretendon se si koalicione do të sigurojnë të paktën 61 nga 120 vendet e kuvendit izraelit, por parashikohet që ngërçi politik do të zgjatë.

"Dita e zgjedhjeve gjithmonë ka qenë një ditë feste dhe demokracie për Izraelin. Por më duhet të them se sot kam një ndjenjë më të thjeshtë, madje një ndjenjë turpi, përballë qytetarëve," deklaroi presidenti Rëuveeen Rivliiin, duke kritikuar mosdaljen e vendit nga kriza qeverisëse.

Qendrat e votimit në Izrael pritet të qëndrojnë të hapura nga ora 7 deri në orën 10 të mbrëmjes me kohën lokale për 6,4 milionë banorët me të drejtë vote.

Pjesëmarrja në orët e mëngjesit ishte e ulët, e ndikuar edhe nga frika ndaj epidemisë së koronavirusit.

"Dilni të votoni, sot është ditë krenarie. Situata me koronavirusin është tërësisht nën kontroll, kemi marrë masat e duhura parandaluese për të votuar të sigurt," u shpreh Netanjahu, kryeministri në detyrë.

Në këto zgjedhje pritet të rritet pushteti i grupimit "Lista e Përbashkët" që përfaqëson kryesisht palestinezët e vendit, në kohën kur SHBA-ja ka prezantuar një plan për Lindjen e Mesme, që favorizon territorialisht dhe juridikisht shtetin e Izraelit përballë Palestinës.

EMISIONET