Izrael: Gjendet proteina që sulmon dhe neutralizon koronavirusin

Izrael: Gjendet proteina që sulmon dhe neutralizon koronavirusin

Ekipe shkencëtarësh nga Izraeli në Holandë kanë klonuar antitrupat që mendohet se sulmon dhe neutralizon koronavirusin, duke hedhur hapat për një vaksinë të mundshme për sëmundjen që ka vrarë tani mbi 250 mijë persona në botë.

Shkencëtarët izraelitë mendojnë se kanë izoluar një nga antitrupat që mund të neutralizojë koronavirusin e ri.

Lajmin e konfirmoi vetë qeveria e Izraelit nëpërmjet ministrit të saj të Brendshëm, duke shtuar se një nga agjencitë kërkimore e financuar nga shteti, pritet të marrë patentën e autorësisë dhe të nisë prodhimin në masë të vaksinës.

Sipas autoriteteve, antitrupi i zbuluar është marrë nga një qelizë e vetme e pacientëve të shëruar nga sëmundja infektive, dhe është provuar më herët te kavjet se e sulmon dhe i heq koronavirusit vetitë e dëmshme në shëndetin e njeriut.

Një metodë e ngjashme u raportua një ditë më parë si shpresëdhënëse edhe nga një ekip shkencëtarësh europianë, në Universitetin holandez të Utrehtit.

Proteina eksperimentale sërish u rikuperua nga një monoqelizë e pajisur me antitrupin bazë, e cila pasi bie në kontakt me proteinat në sipërfaqen e virusit i asgjëson ato para se të shumohen në organizëm.

Terapi të tilla me antitrupa kanë rezultuar efikase më parë për trajtimin e tumoreve apo sëmundjes vdekjeprurëse, ebolës.

Produktet laboratorike si në Izrael, edhe në Holandë shpresohet të testohen te pacientë realë pas kalimit të fazave të certifikimit.

Liderët botërorë dhe organizatat të hënën premtuan më shumë se 8 miliardë dollarë financim fillestar për kërkimin, fabrikimin e vaksinës dhe të testeve për virusin e Covid-19.

Në eventin për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Bashkimi Europian munguan përfaqësuesit e SHBA-së dhe Rusisë, ndërsa Kina, ku edhe pati zanafillën pandemia, dërgoi ambasadorin e saj.

EMISIONET