Italia pritet që të zgjasë masat kufizuese deri në muajin maj

Italia pritet që të zgjasë masat kufizuese deri në muajin

Italia pritet të shtyjë deri më 3 maj regjimin e masave të limitimit të lëvizjes e të aktiviteteve tregtare e prodhuese.

Qeveria Conte do të aprovojë sot dekretin e ri të zgjatjes së afatit kohor të masave të jashtëzakonshme për emergjencën sanitare COVID 19.

Të dhënat mbi numrin e viktimave e pacientëve të infektuar ditë pas dite janë inkurajuese por jo të mjaftueshme për qeverinë Conte, e cila zgjedh të jetë e kujdesshme e të shtyjë me 20 ditë të tjera hapjen e vendit.

Dita e djeshme ka regjistruar 610 viktima në 24 orë e mbi 4200 persona të infektuar më shumë, shifra këto në trend negativ në krahasim me 24 orët e një dite më parë.

Duket se dhe apeli i bërë nga industrialistët e katër rajoneve veriore italiane Lombardi, Piemonte, Regjio Emilia e Veneto, për nisjen e aktivitetit prodhues, nuk është pranuar nga kryeministri Conte, i cili gjatë një video konference me drejtuesit lokalë të rajoneve ka deklaruar se "për momentin nuk jemi në kushtet për të nisur aktivitetin prodhues, pasi rrezikojmë ngritjen e kurbës së pandemisë e çuarjen dëm të rezultateve që kemi arritur deri më sot".

Burime mediatike italiane informojnë se do të lejohet nisja e kufizuar e aktivitetit të disa bizneseve si libraritë e dyqanet që tregtojnë artikuj për bebe e fëmijë e për javët në vijim po mendohet hapja graduale e aktiviteteve tregtare në bazë të nivelit territorial të përhapjes së infektimit të pandemisë.

Ndërkohë Ministria e Brendshme Italiane ka forcuar masat e kontrollit në të gjithë territorin për shkak të festës së Pashkëve e rritjes së mundshme të lëvizjes së qytetarëve gjatë fundjavës.

Kryeministri Conte pritet të mbajë sot një videokonferencë ku do të informojë mbi dekretligjin e ri.

EMISIONET