Italia në alarm të kuq sigurie

Italia në alarm të kuq sigurie

Alarm i lartë sigurie sot në të gjithë Italinë ku në mjaft qytete janë parashikuar të zhvillohen manifestime e protesta nga forca e lëvizje të ndryshme politike e organizata sociale.

Italia ndodhet në fushatë zgjedhore e vetëm 10 ditë nga zgjedhjet e 4 marsit por prej disa ditësh klima politike në vend është karakterizuar nga protesta të dhunshme me thirrje raciste apo antifashiste.

Militantë të forcave të ekstremit të majtë janë përplasur me policinë italiane për të ndaluar zhvillimin e tubimeve të forcave të ekstremit të djathtë ku në këtë fushata elektorale janë karakterizuar nga tone të forta raciste.

Gjatë ditës së sotme mbi 10 manifestime politike do të mbahen në Romë, Milano, Bolonja, Palermo etj.

Vetëm në kryeqytetin italian janë parashikuar të zhvillohen 5 të tilla, të cilat preokupojnë mjaft policinë kryeqytetase. Janë manifestime të organizuar nga Shoqata Kombëtare e partizanëve italianë, pra i forcave antifashiste , nga organizatat sociale, nga forca politike e djathta Fratelli d' Italia etj, si dhe priten rreth 400 autobusë me simpatizantë politikë të ardhur nga të gjitha qytetet e tjera të Italisë

Roma sot është blinduar nga forcat e policisë për të garantuar sigurinë e eleminuar kaosin. Mbi 3500 agjentë të forcave të rendit do të vigjilojnë nga ajri me anë të dronëve policorë.

Policia shkencore do të filmojë të gjithë tubimet për të pasur nën kontroll e identifikuar përgjegjësit në rast përdorimi dhune.

18 persona janë ndaluar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Policia e Romës të gjithë militantë të forcës ekstreme të djathtë "Forza Nuova" të cilëve iu gjetën bombola spray, bomba tymosëse, flamunj të zinj e sllogane raciste.

"Nuk do të falim askënd e forcat e policisë do të ndërhyjnë menjëherë në rast dhune e forma të ndryshme ilegaliteti gjatë tubimeve" ka deklaruar Minsitri i Brendshëm Marco Minniti duke i bërë thirrje forcave politike të ruajnë qetësinë e të ulin tonet.

EMISIONET