Italia kujton tërmetin e tmerrshëm që i mori jetën edhe shqiptarëve

Italia kujton tërmetin e tmerrshëm që i mori jetën edhe

Italia kujton sot tragjedinë e tërmetit që 10 vite më parë goditi qytetin e Aquilas e tërë territorin e rajonit të Abruzzos.

Në ora 3.32 të mëngjesit të 6 prillit 2009 një lëkundje sizmike 5.9 ballë shkaktoi 309 viktima e mbi 1700 të plagosur.

Mes viktimave pati dhe emigrantë shqiptarë e kosovarë.

Mediat e kohës kujtojnë vogëlushin shqiptar Elsajed Boshti, Refik Asani, Valbona Osmani, Alejna Ajrubi Nurie Abdia si dhe dhjetra emigrantë të tjerë të kombësive të ndryshme që për ditë me radhë u renditën në listën e të padukshmëve, pasi mjaft prej tyre ishin klandestinë e nuk figuronin të regjistruar në listat e zyrës civile.Shumica punonin në ndërtim, muratorë e punëtorë që kishin nisur të ndërtonin një të ardhme shprese në një vend të huaj, por me një emër mjaft të ngjashëm me atdheun e tyre Aquila-Shqiponja.

Mëngjesin e 10 viteve më parë Italia u godit nga kjo tragjedi e madhe natyrore, të cilën do ta përjetonte me të njëjtën madhësi dhimbje e viktimash, në natën e 24 gushtit të 2016, në tërmetin me epiqëndër Amatricen, në Italinë Qëndore. Në atë kohë edhe shteti shqiptar dhuroi një ndihmë financiare për familjet me shtëpitë e kthyera në gërmadha.

Manifestimi i heshtur- Gjatë natës duke u gdhirë mëngjesi i sotëm, kryeministri italian Giuseppe Conte e autoritete të larta të shtetit e të qeverisjes lokale, zhvilluan në rrugët e Aquilas një manifestim të heshtur me pishtarë e qirinj në duar e nën 309 tingujt e këmbanës për të kujtuar 309 viktimat e kësaj tragjedie.

 Mes viktimave ishin edhe 55 studentë.

"Kanë kaluar 10 vite e kemi detyrimin e memories, u shpreh kryeministri Conte.

'Prania ime këtu është dëshmi se plaga e komunitetit lokal është një plagë për të gjithë kombin."

I janë bashkuar marshit përkujtimor të Aquilas dhe familjarët e viktimave si dhe banorë të zonave të tërmetit që rreth 3 vite më parë goditi Italinë Qëndrore.

Dhe pse kanë kaluar 10 vite Aquila e provinca vuajnë ende problemin e rindërtimit të ndërtesa e zonave të shndërruara në gërmadha.

Kryeministri Conte infomoj se qeveria ka lëvruar një fond prej 3 miliardë eurosh përgjatë këtij viti si dhe 11 miliardë euro për tre vjecarin e ardhshëm për të zhbllokuar punimet në kantieret e rindërtimit e për të ndihmuar banorët e këtij territori.

EMISIONET