Italia, e mira, apo e keqja e Shqipërisë?

Italia, e mira, apo e keqja e Shqipërisë?

Nuk ka asnjë komb tjetër në histori që në raport me Shqipërinë të ketë pasur kaq shumë ngritje e ulje, momente të mira dhe të këqija, ose më saktë akoma, dashuri dhe urrejtje, sa Italia. Pikërisht nga kjo Itali, Shqipëria është dukur shpesh si një kryeurë dhe po aq shpesh si një hon i madh i pakapërcyeshëm. Shpesh Shqipëria është dukur aq afër dhe po aq shpesh është dukur sikur për Italinë kjo Shqipëri të ishte diku në Hënë. Një raport aq i çuditshëm që u ndje aq shumë edhe këto ditë që teksa qeveria shqiptare dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në ndihmë të të prekurve me coronavirus, e që përtej debateve për licencën e një infermieri, devijoi deri në pyetjen a duhej ta ndihmonim ne Italinë që sipas një pjese na kë bërë shumë të këqija. Por si qëndron e vërteta? A e meriton Italia që Shqipëria e vogël t’i bëhet solidarja e madhe në këto ditë të vështira? A është Italia kombi shembull që ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës, apo është një vend që ndaj problemeve tona është treguar, në rastin më të mirë indiferent dhe në rastin më të keq, armik dhe ne duhet t’ia kthejmë me një monedhë?

Fati i mirë apo i keq, e deshi që mes Shqipërisë dhe Italisë të jetë vetëm një distancë ujore prej 71 kilometra, të cilën kryeministri Benito Musolini në vitet ‘30-të e e quante hapësirë liqenore dhe jo deti Adriatik, ndërsa në vitin 1999 kryeministri shqiptar Pandeli Majko hodhi idenë për ndërtimin e një tuneli nënujor. Nëse Shqipëria ka qëndruar sanduiç mes Perëndimit dhe Lindjes, shtresa e poshtme e këtij sanduiçi ka qenë Roma dhe pjesa e sipërme Stambolli. Një histori kanë nisur të përdoren që mbi 2 mijë vjet më parë, që në kohën e Perandorisë Romake kur anijet sulmuan tokën e të parëve tanë dhe fillimisht mbytën piraterinë ilire. Roma e sulmoi Ilirinë me 200 anije duke pushtuar tre kryeqendrat e saj Apolloninë, Durrësin dhe Korfuzin, duke bërë që mbretëresha ilire Teuta, deri në atë kohë supreme, të kapitullonte pa kushte. Shqipëria e vjetër, ose Iliria, u bë pjesë e Perandorisë Romake për pothuajse 600 vjet, nga shekulli i III para Krishtit deri në vitin 395 pas Krishtit dhe Roma e quajti Ilirinë provincën romake. Beteja më e madhe civile, mes Jul Cezarit dhe Pompeut në vitin 48 para Lindjes së Krishtit në fushat e Durrësit dhe Apollonisë, një betejë që i renditi dy ushtritë armike në bregdet dhe që solli dhjetëra mijë të vrarë. Por, ky pushtim dhe të qenit pjesë të perandorisë, bëri që Iliria të marrë jo pak elementë të qyterërimin romak. Oktaviani ishte duke studiuar në Apolloni kur mësoi se dajua i tij, Jul Cezari ishte vrarë në Romë më 15 mars të vitit 44 para Lindjes së Krishtit. Kthimi i tij atje e bëri atë perandor dhe që nga ai moment sundoi për 50 vjet. Ndërtimi i rrugës Egnatia që lidhte Perëndimin me Lindjen është kryevepra e asaj epoke e ndërtuar nga ajo perandori. Një segment që niste nga Roma me rrugën Appia dhe vijonte me segmentin Durrës-Apolloni-Elbasan-Ohër-Manastir-Selanik, me një gjatësi prej 400 kilometra e që përshkruhej për 24 ditë deri në Byzance, pranë Stambollit.

Iliria romake u bë pjesë e lavdishme si pjesë e perandorisë romake edhe për shkak se disa perandorët e saj më të famshëm ishin ilirë. Klaudi nga Dardania, Diokleciani nga fisi i Dioklës në zonën ku jetojnë sot shqiptarët e Malit të Zi, Konstandini i Madh nga Nishi, Aureliani dhe Probi nga Panonia, e kanë të shënuar emrin si drejtues të Perandorisë 1 mijë-vjeçare, më të madhen, më të gjatën në kohë dhe më fuqishmen në historinë e planetit. Por më shumë se fuqia e shpatës romake, më shumë vlerë ka pasur fuqia shpirtërore po në Romë. Shën Pali, dishepulli më i rëndësishëm i Jezu Krishtit predikoi ungjillin në Durrës në vitin 57 pas Krishtit duke e bërë këtë qytet dhe gjithë Ilirinë një nga vendet e para në Botë që përqafoi fenë e krishterë dhe e gjithë kjo është e shkruar në Bibël si një letër drejtuar romakëve.

Mesjeta ishte një tjetër epokë që diktoi shumë Shqipërinë e vjetër pikërisht nga raportet me Italinë, më saktë me qytet-shtetet e saj. Për Italinë, rreziku vinte nga Perandoria e re Osmane që zëvendësoi Bizantin, por që ky rrezik u zbeh me shfaqjen e qëndresës shqiptare me në krye Skënderbeun. Aq e mirëpritur në fillim matanë Adriatikut, por jo aq ndershëm sidomos nga Venediku që bënte para duke i shitur ushtrisë turke që sulmonte Arbërinë, ushqim dhe municion. Megjithatë, Skënderbeu dhe shqiptarët u shndërruan në digë ndaj hordhisë osmane dhe Italia e asaj kohe u tregua mirënjohëse sidomos pas vdekjes së tij. Është një histori e dhimbshme ajo për popullsinë e asaj kohe kur pas vdekjes së tij ra e gjithë Arbëria dhe vendin e mbuluan hordhitë osmane. Vargje shqiptarësh u dyndën drejt Italisë dhe ajo jo vetëm i priti por edhe i sistemoi në një jetë të re duke krijuar fshatra dhe qyteza të tëra, të cilat kanë vijueshmërinë e tyre edhe sot. Nuk e teprojmë të themi se aty në zemër të arbëreshëve të Italisë gjaku ynë shqiptar është porsi ari i kulluar. Për të mos folur strehimin dhe ndihmën ndaj Donikës dhe Gjonit të Skënderbeut nga Ferdinandi, mbreti i Napolit, i biri i Alfonsit. Ai nuk e harroi kurrë që kur ishte gjallë Skënderbeu e ndihmoi në Barleta nga sulmet e atyre që donin ti merrnin fronin. Për nderin që i kishte bërë Ferdinandi i kishte dhuruar Skënderbeut edhe dy qendra banimi në Jug të Italisë, Tranin dhe San Giovanni Rotondo. Kjo shenjë mirënjohje shkonte deri atje sa Ferdinandi e quante Skënderbeun baba. Në disa qytete në Itali, heroi ynë kombëtar Skënderbeu ka buste dhe sheshe, ku më i famshmi është ai në Romë, që për ironi aty këtë bust e vendosi Benito Musolini. Që nga shekulli i 15-të edhe sot e kësaj dite, janë arbëreshët që ruajnë të gjitha traditat kulturore dhe gjuhën shqipe. Janë disa fshatra e qyteza në rajonet jugore të Italisë Abruco, Campaninë, Apuglia, deri në Siçili kur gjaku shqiptar ka mbetur ai i 500 viteve të kohës së Skënderbeut. Nëse ne shqiptarët ruajtëm gjuhën e shkruar, një arsye është edhe tharmi arbëresh pikërisht aty në Itali. Dhe të mendosh shteti italian e ka sanksionuar zyrtarisht përdorimin edhe të gjuhës shqipe krahas asaj italiane. Kultura arbëreshe prodhoi një varg me personalitete që nisin nga Jul Variboba, Jeronium De Rada, Zef Serembe, Zef Skiroi e shumë të tjerë. Mjaft figura arbëreshe spikatën deri në majën e pushtetit italian. Mes tyre është Franchesco Chrispi që u bë kryeministër i Italisë nga 1891-1893 që e quante krenari prejardhjen nga shqiptarët e Skënderbeut. Mbështetja italiane u duk ndjeshëm gjatë Rilindjes. Jo pak eksponentë të Rilindjes ishin pjestarë të klerik katolik shqiptar që u ndihmuan shumë në përhapjen e dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Duhet ta themi me zë të lartë se gazeta më e vjetër shqiptare është “L’Albanese d’Italia”, “Shqiptari i Italisë”, e themeluar më 23 shkurt 1848 nga Jeronim De Rada. Ishte në dy gjuhë shqip dhe italisht dhe kjo botohej në Itali. Imagjino të mendosh që në Greqi apo Serbi të themelohej një gazetë në gjuhën shqipe?! Në vitin 1870, shtypshkronja e Jezuitëve në Shkodër u bë njëkohësisht shtypshkronja e parë në Shqipëri dhe pikërisht kjo u ndihma nga Italia duke ndikuar shumë në gjuhën e shkruar shqipe. Në themelimin e shtetit shqiptar, Italia ka luajtur një rol të dyzuar. Ndërsa ato ditë nëntori të vitit 1912 Ismail Qemali u nis nga Trieste për të shpallur pavarësinë, ai u ndihmuar jo pak nga italianët. Vëmendja u tregua kur për herë të parë në histori Shqipëria kapte titullin e parë të gazetës më të madhe në Apenine “Corriere Della Sera”. Në numrin e datës 29 nëntor, pra 24 orë nga akti që bëri Ismail Qemali në Vlorë, titulli i kësaj gazete ishte “Shqipëria shpall mëvetësinë” duke treguar jo thjesht interes mediatik por edhe një lloj mbështetje. Por më pas, jo gjithçka shkoi mirë. Pas shpalljes së Pavarësisë Italia ka luajtur një rol jo pak negativ në konsolidimin e atij shteti aq të brishtë shqiptar. Herë mbështeste Esad Pashën e herë të tjerë duke u dhënë dhe para dhe Italia më shumë bëri ngatërrestarin me qëllimin për të përfituar vetë llokma të tokës shqiptare. Vrasja e kolonelit hollandez Lodeëijk Thomson më 15 qershor 1914 në Durrës gjatë mbretërimit të princ Wied-it ishte një komplot i ndyrë, në të cilin italianët ishin të përzierë me anë të ambasadorit Carlo Aliotti që kishte kohë që donte ta hiqte qafe dhe që “rastësisht” ato ditë në xhep mbante një urdhër arresti ndaj heroit holandez. Italia tregoi më shumë se një herë se nuk donte një shtet të fortë shqiptar dhe kurrë nuk hoqi dorë nga synimi për ta bërë pjesë të territorit të saj Vlorën dhe Sazanin. Edhe më e rëndë akoma ishte pabesia ndaj Ismail Qemalit. E ftuan vetë në janar të vitit 1919 për ta dërguar në konferencën  e Paqes në Paris dhe e izoluan dhe e vranë në hotel “Brufani” në Peruggia. Ftesa ndaj tij ishte bërë nga disa personalitete italiane, mes të cilëve edhe nga kryeministri Vittorio Orlando. Mbeten edhe sot një peng i madh për shqiptarët fjalët e fundit teksa po jepte shpirt të Ismail Qemalit: “Më hëngrët me të pabesë”. Organizatorët e vrasjes ishin shqiptarë dhe italianë, njeriu që i hodhi helmin në filxhanin e kafesë ishte kamerieri italian. Me gojën e tij përpara se të vdiste, pronari i hotelit “Brufani” i ka thënë të bijës: Iki nga kjo botë me pengun që ma helmuan në hotelin tim kryeministrin e Shqipërisë. Rastet e turpshme të Italisë ndaj Shqipërisë vijojnë me atë që bënë forcat ushtarake italiane në Durrës në janar dhe në shkurt të vitit 1920. Pasi tentuan të pengonin mbajtjen e Kongresit të Lushnjes dhe nuk e arritën dot, një repart i armatosur nuk lejoi që qeveria e dalë nga ai kongres të hynte në kryeqytetin zyrtar, Durrësin. Te Ura e Dajlanit kishin rreshtuar miralozët dhe një batalion ushatarësh italianë penguan Ahmet Zogun, i cili për të mosshkaktuar gjakderdhje urdhëroi karvanin të shkonte drejt Tiranës dhe që nga ai moment Tirana u bë kryeqytet. Italia u soll si koloniale më pas teksa me ushtrinë e saj mbajti Vlorën dhe Sazanin por që u detyrua të ikë vetëm me luftë. Për gjithë gjatë muajtë e verës së vitit 1920 u zhvillua një luftë e ashpër me armë në Vlorë mes ushtrisë italiane dhe forcave shqiptare që ndonëse dukeshin si një lloj reagimi popullor kishte mbështetjen e qeverisë. Lufta e Vlorës është një epope lavdie për Shqipërinë dhe një turp për Italinë që e la bregdetin shqiptar falë rezistencës me armë të një populli. Nga 1920 deri në 1939 Italia mbajti qëndrime me hope ndaj Shqipërisë që më shumë anonin nga sjellja koloniale dhe pabesia. Kishte shjellje pozitive teksa mund të përmendim atë të vendosjes së kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë në të cilën Italia u investua shumë seriozisht. Koloneli italian Enrico Telini i emëruar nga fuqitë e mëdha si kryetar i Komisionit Ndërkombëtar kufipërcaktues mes Shqipërisë dhe Greqisë u shndërrua në hero dhe që ne shqiptarët duhet ti jemi mirënjohës për atë që bëri. Ai u vra më 27 gusht 1923 në afërsi të kufirit Greqi-Shqipëri pikërisht sepse po kuptonte që kufiri shqiptar duhet të ishte në Janinë dhe për këtë po hartonte një raport të detajuar. Ne nuk duhet të harrojmë në këtë kohë kontributin e profesor Luigi Ugolinit, arkeologut italian që në vitin 1928 zbuloi Butrintin dhe Finiqin kryeqendrën e Epirit të vjetër dhe i tregoi Botës shkencore se shqiptarët ishin populli më i lashtë në Evropë. Një meritë tjetër në këtë periudhë është ndërtimi i Tiranës moderne. Arkitektët Gerardio Bossio, Armando Brasini, Florestano Di Fausi, Giuglio Berte nga më të mirët italianë të viteve ‘20-‘30-të i dhanë formë moderne kryeqytetit të ri shqiptar me ndërtimin e bulevardit të madh, godinat qeveritare, pallatit mbretëror e shumë vepra të tjera, objekte që madhështinë e tyre e kanë sepse janë në funksion edhe sot dhe ky është një kontribuit jo i vogël made in Italia. Kulmet e këtij impenjimi janë hapja ne disa katedrave të gjuhës sonë në universitetet italiane. Katedra më e vjetër e gjuhës shqipe është ajo e Universitetit “L’Orientale” në Napoli në 1901, pastaj në Kalabri në Kozencë, në Sicili, në Palermo, në Lece, në Romë, në Venecia. Në vitin 1936 një nga lajmet më të rëndësishme në Shqipëri. Për ti dhënë rëndësi këtij momenti mjafton të kujtojmë se më 31 maj 1779 sulltani Abdul Hamiti nxori një ferman sipas të cilit ndalonte përdorimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe dhe vetëm arbëreshët në Itali e mbajtën gjallë gjuhën tonë. Ka një meritë Italia në këtë periudhë për mbështetjen e fesë veçanërisht të klerit katolik. Por edhe të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Kisha Zoja e Këshillit të Mirë në Shkodër e shkatërruar prej osmanëve u ndërtua në vitet 20-të falë ndihmës prej 10 mijë franga ari të konsullatës italiane. Sipas të dhënave zyrtare, financimet e Italisë ndaj Shqipërisë gjatë kohës kur sundoi Ahmet Zogu 1925-1939 ishin 1.836.595.253 lira. Një ndihmë jo e vogël, por që për turpin e Italisë e nxori kokën pas 15 vjetësh pasi e ktheu Shqipërinë në një koloni ekonomike. Dhe shumë pak i duhet ta kthente në koloni reale. Kjo u arrit më 7 prill 1939 kur me një veprim burracak, shteti me 40 milionë banorë sulmoi shtetin e vogël shqiptar me 800 mijë banorë. Diktatori Benito Musolini e mbajti fjalën e dhënë në 1920. 30 mijë trupa ushtarakë zbarkuan në bregdetin shqiptar nga deti dhe ajri, në një vend ku ishin larguar edhe mbreti Ahmet Zogu por edhe kryeminisri Kostaq Kotta. Në një raport që i dërgonte State Department, ambasadori amerikan në Tiranë Hugh Grant shkruante më 8 prill 1939: Shqipëria është pushtuar me ligësi nga ai që pretendonte se ishte mik dhe aleat i saj. Ndërsa një raport radiofonik nga Tirana në Romë thoshte se gratë shqiptare i pritën me lule italianët nëpër rrugët e qytetin dhe se shkonin me ushtarët italianë në kinema. S’kishte gjë më të rrejshme se kjo”.  E megjithatë, kjo superushtri la të vdekur në ditët e para të sulmit 700 ushtarë. Një shifër që është mbajtur gjithmonë sekret. Burracakëria e dytë ndodhi edhe me sulmin ndaj Greqisë nga toka shqiptare në tetor të vitit 1940. Një sulm që dështoi dhe që i dha arsye Greqisë të ketë edhe sot e kësaj dite një ligj lufte me Shqipërinë. Budallallëkut grek që e quajti armik Shqipërisë, toka nga ku u bë sulmi dhe aspak Italinë që e sulmoi, duket i shkoi për shtat Italisë, e cila kurrë nuk ka bërë një deklaratë të qartë, kundërshtuese dhe logjike ndaj kësaj sjellje. Dhe kush e sulmoi Greqinë? Diktatori Benito Musolini që u bë kryeministri i parë i huaj që vizitoi Shqipërinë në ato ditë marsi të vitit 1941 teksa inspektonte gjithë frikë frontin italo-grek por që dështoi sa nga megalomania por edhe nga informacionet e gabuara. Informacione që e çuan deri në delir dhe inat teksa betohej se do ta shuante nga faqja e dheut kombin shqiptar duke dyndur nga ana tjetër e Adriatikut nja 1 milionë italianë. Shqipëria megjithatë u soll aq mirë ndaj ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943. Ishin me mijëra ushtarët që u strehuan në shtëpitë e shqiptarëve. Zyrtarisht, përveç trupave të armatës së 9-të italiane në Shqipëri prej 19 mijë ushtarakësh, në këtë moment gjendeshin edhe rreth 25-30 mijë civilë italianë, teknikë, punëtorë, tregtarë etj. Shteti shqiptar i ktheu të gjithë, duke e shoqëruar madje edhe me një akt nderimi për disa që luftuan në krah të partizanëve, duke u dhënë 130 ushtarakëve medalje.

Por ironia e të keqes vijoi gjatë komunizmit. Nuk është kuptuar asnjëherë që në 45 vjet diktaturë nga më e egra në botë dhe Italia të bënte indiferenten. Një Itali që e dinte shumë mirë që ky popull ndiqte stacionin televiziv RAI dhe që vuante dhunën hoxhiste nuk bëri qoftë edhe një kronikë. Nuk e bëri këtë as kur u pushkatuan priftërinj por as edhe kur Nënë Tereza nuk lejohej të vinte këtu të shikonte nënën dhe motrën. Por duhet të kalonin 45 vjet që Italia të ndërronte kurs. Çudia ndodhi më 2 korrik 1990 kur dhjetëra qindra të rinj burrë e gra u futën në ambasadën italiane në Tiranë. Kishte ndodhur më parë që në dhjetor 1985 me familjen Popa që kishte zgjedhur ambasadën italiane për tu futur por që u mbajtën 5 vjet në godinë. Era e mirë e marrëdhënieve nisi pas rrëzimit të komunizmit. Duhet një mirënjohje e madhe Italisë me misionin “Pelican” që ndihmoi popull shqiptarë me ushqime dhe ilaçe. Po po me bukë një popull që ishte dalë i uritur nga 45 vitet e komunizmit.

Vargje shqiptarësh udhëtuan drejt Italisë për një jetë më të mirë dhe vendi fqinj u kthe në Lamerika. Shifrat zyrtare janë më të ulta po besohet se janë 1 milionë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Apenine. Italia dhe popullia the i mirëpritur u dha mundësinë dhe i integroi të gjithë ata që deshën vërtetë një jetë me djerë. Shqiptarët e famshëm në Itali të brezit pas luftës Ibrahim Kodra, Ana Oxa, Monika Beluci (Belushi) kurrë nuk do kishin shfaqur talentin e tyre nëse kjo Itali nuk do tua kishte dhënë këtë mundësi. Por ashtu kjo vlen dhe për shqiptarët e pas viti 1990 ku mes tyre veçojmë: Ermonela Jaho, Igli Tare, Elsa Lila, Kledi Kadiu, Leon Cino, Ambeta Toromani e shumë të tjerë, u bënë të tillë falë mundësisë që i dha Italia.

Vijoi kjo me ndihmë në shumë sektorë por sidomos në ngjarjet e vitit 1997 me operacionin “Alba”. Kamionët e ushtrisë italine udhëtuan cep më cep të Shqipërisë duke shpërndarë ndihma ushiqimore por më shumë besim se Shqipëria kishte miq në ditë kaq të vështira.

Por sërish oshilacionet nisin të shfaqen. Në krizën e Kosovës në vitin 1998 Italia mbajti një rol gati dyzues. Italia zyrtare kurrë nuk mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Serbisë për genocidin e ndaj shqipatërve, i dyti më iu madhi pas hebrejve në shekullin 20-të. Italia favorizoi një përafrim gradual ndryshe nga SHBA që mezi pret të rrëzojë lidershipin aktual serb. Por kurba ngrihet sërish teksa dimë që Italia ka qenë avokatja e Shqipërisë në mbështete të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Dhe kjo vijon me këtë konstante sa në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit Italia u bë donatorja më e madhe ndaj Shqipërisë me 65 milionë Euro. Prandaj dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali për të ndihmuar në luftën ndaj pasojave të Covid 19 më shumë se mirënjohje ndaj pjesës së mirë të Italisë është për të kujtuar se Shqipëria vendi përballë është një komb nga i cili ajo ka parë vetëm të mira./Fjala.al

EMISIONET