Autoritetet italiane në Brindisi kanë sekuestruar një varkë me 334 kg drogë, ndërsa në pranga është vënë një shtetas shqiptar.

Operacioni është zhvilluar në brigjet e Brindizit, ku autoritetet e njësisë detare vendosën të ndalojnë mjetin lundrues.

Mediat italiane raportojnë se lloji i mjetit lundrues si dhe deklaratat e paqarta të kontrabandistit shqiptar kanë bërë që të zhvillojnë inspektime më të hollësishme.

Pas kontrollit në bordin e  gomones u gjetën 186 pako të mbështjella me peshë totale 310 kg marijuanë dhe 24 kg hashash. Nëse lënda narkotike do të hidhej në tregun klandestin do të kapte një vlerë prej 4 milionë euro.

Gomonia 5 metër e gjatë dhe me një motor të fuqishëm që përdorej për trafik droge u konfiskua, ndërsa në pranga u vu kontrabandisti me kombësi  shqiptare, i identifikuar me iniciale F.I, 32 vjeç.

Ndërkohë, Policia e Shtetit shqiptar thotë se operacioni  u zhvillua në bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe shqiptare. 

/E.Xama/




/Ora News.tv/