Policia italiane zbuloi dhe sekuestroi një ngarkesë prej 14 ton amfetaminë (drogë sintetike) në pilula, për të cilët ata dyshojnë se është prodhuar në Siri e me objektiv shpërndarjen në Europë.

Rreth 84 milion pilula të falsifikuara, Captagon, me vlerë prej 1 miliardë dollarësh u gjetën në disa kontejnerë në portin e Salernos, Itali.

Ata ishin fshehur brenda ingranazheve dhe topa letre të mëdha. Oficerët po hetojnë nëse janë përfshirë grupet kriminale të Camorras në Itali.

Në një deklaratë të policisë së Napolit, thuhet se pilulat e sekuestruara në Salerno ishin të mjaftueshme për furnizuar të gjithë tregun evropian.

Sipas deklaratës, dyshohet për një bashkëpunim mes grupeve kriminale të shteteve të ndryshme të cilët do të bënin shpërndarjen e drogës sintetike në të gjithë kontinentin.

Captagon është emri për drogën stimuluese. Fillimisht u përdor për të trajtuar çrregullimin e vëmendjes dhe narkolepsisë, por shumë vende e ndaluan atë gjatë viteve 1980 për shkak të varësisë që ajo krijon.

Captagon është një nga drogat më të njohura në mesin e të rinjve të pasur në Lindjen e Mesme, veçanërisht në shtetet arabe.

Droga gjithashtu është konsumuar nga luftëtarët në luftën civile në Siri, përfshirë militantët e ISIS, të cilët vlerësojnë aftësinë e tij për të mposhtur frikën dhe për të shmangur lodhjen.

Siria besohet të jetë prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i Captagon.




/Ora News.tv/