Itali, gjendet i murosur në një vilë trupi i një personi, dyshohet se është shqiptar

Itali, gjendet i murosur në një vilë trupi i një personi,

Skeleti i një personi është gjetur i murosur në një vilë historike në komunën Senago në provincën e Milanos.

Zbulimi është bërë nga disa punëtorë që po kryenin restaurimin e vilës.

Pas analizave shkencore është vërtetuar se trupi është murosur 5 vite më parë e mediat italiane raportojnë se trupi mund t'i përkasë një shqiptari të zhdukur në Genova më 2013 i lidhur me botën e krimit e të prostitucionit.

Kufoma është gjetur në një pus rreth 15 metra të thellë e bashkë me të janë gjetur dhe një xhup e disa pjesë veshjeje. Veshjet e gjetura shtojnë dyshimin e lidhjes me identitetin e shqiptarit.

Mosha nesatare e trupit mund të jetë nga 35-45 vjeç.

Prokuroria e Monzës ka nisur një proces hetimor e mjekësia ligjore ka marrë në dorëzim trupin për të kryer autopsinë, e cila do të ndihmojë në zbardhjen e identitetit të viktimës si dhe nëse bëhet fjalë për një krim vrasje.

Mediat italiane informojnë se zhdukja e shqiptarit në Genova është denoncuar 5 vite më parë nga vëllai i tij.

Hetimet e atyre viteve kanë gjetur gjurmët e shqiptarit deri në afërsi të komunës ku u gjet skeleti i murosur .

Investiguesit italianë përjashtojnë lidhjen e pronarëve të vilës me trupin e gjetur si dhe mendojnë se është murosur në vilë gjatë punimeve të kryera 5 vite më parë për restaurimin e saj.

EMISIONET