Ishte nisur nga Italia për në Shqipëri me biçikletë, gjobitet me 600 euro shqiptari për thyerje të karantinës

Ishte nisur nga Italia për në Shqipëri me biçikletë,

Një 33 vjeçar shqiptar banues në provincën e Trevizos është gjobitur nga autoritete italiane me 600 euro për shkelje të regjimit të karantinës dhe të rregullave të qarkullimit rrugor.

Duket si jo reale ngjarja e shqiptarit të gjobitur i cili është ndaluar ndërsa po udhëtonte me biçikletë në autostradën Treviso-Nord në gjëndje konfuzioni e psikologjike. Punonjësve të policisë rrugore ai u ka rrëfyer se ishte nisur për të shkuar në Shqipëri.

Policia italiane ka zbardhur se 33 vjeçari shqiptar dy ditë më parë ishte kuruar në spitalin "Ca Foncello" në gjëndje të fortë ankthi për shkak të regjimit të izolimit prej disa javësh.

Pyetjeve të forcave të rendit i është përgjigjur "se ishte i lodhur nga situata e donte të kthehej në Shqipëri".

Ai po përpiqej të mbërrinte me bicikletë në portin e Venezias për t'u nisur më pas me anije në Shqipëri.

Ai është gjobitur me 42 euro për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi është e ndaluar udhëtimi me biçikletë në autostradë dhe me 533 euro të tjera për shkelje të dekretit qeveritar për masat e izolimit në parandalimin e përhapjes së Covid 19.

Punonjësit e policisë italiane e kanë besuar shqiptarin në duart e një ekipi mjekësh që po kujdesen për gjëndjen e rënduar psikologjike në të cilin ndodhej.

EMISIONET