Investigimi: Call Centerat po shesin numrat e telefonave të përdoruesve italianë

Investigimi: Call Centerat po shesin numrat e telefonave të

Mediat italiane i janë rikthyer investigimeve mbi veprimtarinë e kompanive të Call Center në Shqipëri. Sipas një investigimi të kryer nga “Il Tirreno”, shoqëritë Call Center shesin në tregun klandestin numra telefoni, kode fiskale e adresa të përdoruesve  italianë që më pas shfrytëzohen për promocione në telemarketing.

Shoqëritë call center që operojnë në Shqipëri për llogari të mjaft kompanive italiane janë kthyer në vëmendjen e mediave vendase nën akuzën se abuzojnë me të drejtën e privatësisë për klientët italianë.

Sipas investigimeve të kryera nga media italiane "Il Tirreno" disa prej shoqërive call center shqiptare shesin në tregun klandestinë numra telefoni, kode fiskale e adresa të italianëve që më pas shfrytëzohen për promocione në telemarketing.

Ky investigim ka bërë që më datë 10 shkurt 2018 Autoriteti Italian i Garantit të Privatësisë të nisë një letër formale Autoritetit të Garantit të Privatësisë në Shqipëri, bazuar dhe në marrëveshjen e përbashkët të nënshkruar 3 vite më parë, ku i kërkohet kontrolli i tregtimit të numrave të telefonit dhe të dhënave të utentëve italianë në Shqipëri.

Autoriteti i Garantit për Privatësisë në Itali më datë 15 shkur 2018 ka marrë masa për pezullimin e punës së një shoqëri italiane që operon në rajonin e Kampanjës e cila kishte blerë në mënyrë ilegale nga një shoqëri shqiptare call center rreth 440 mijë numra telefoni të utentëve italianë që janë përdorur më pas për oferta të telemarketingut.

Janë të shumtë qytetarë italianë që ankohen nga telefonat e shumta të shoqërive call center, mjaft prej të cilave nga Shqipëria-

Ku e gjetët numrin tim të telefonit?

Kush ju dha të drejtën ta përdorni?

Ku e dini adresën e vendinbanimit tim?

Janë disa nga pyetjet e shpeshta të bëra nga utentët italianë të bezdisur nga telefonatat e shumta. Përgjigjen e ka dhënë investigimi i të përditshmes italiane "Il Tirreno" i cili ka vërtetuar se një numër telefoni i një përdoruesi italian shitet nga call centerat shqiptarë me vlerën 8 cent. E në një paketë të plotë prej më shumë se 500 mijë numra përfitimi është i konsiderushëm.

Gazetarët investigues italianë kanë kontaktuar me personin në Shqipëri i cili i ka garantuar një paketë të plotë numra telefoni, me kode fiskale e adresa banimi për 600 mijë utentë italianë banues në rajonet e Marche, Toscana e Umbria. Pagesa do të bëhej me anë të Western Union ose me Money Transfer.

Po cila që rruga për të gjetur burimin e blerjes së këtyre numrave.

Gjithçka mjaft e thjeshtë dhe e bërë në dritë të diellit. Lajmërimi jepet më datë 19 shtator 2017 në një faqe në facebook enkas për të shitur e blerë nurma telefoni ku shkruhet "Lista për call center për të gjitha tipologjitë e kërkesave". Në dispozicion një numër telefoni i cili ka një prefiks italian që më pas të adreson në një numër shqiptar. Investigimi i medias italiane ka çuar në blerjen përmes kësaj faqe facebook dhe të një shitësi shqiptar rreth gjysëm milioni numra telefoni të utentëve italianë në vlerë 8 cent secili. Vlera e përgjithshme 2400 euro.

Por një ofertë tjetër më të mirë përmes faqes së tij në facebook e jep shqipari Andi Raku, i zbuluar nga gazetarët italianë më datë 13 shkur 2018 ku ka ofruar 500 mijë numra telefoni përdoruesish italianë me vlerë 1 cent secili.

Hetimi i mediave italiane është ende i hapur. Denoncimi i tyre është bërë pranë Autoritetit Italian të Garantit të Privatëisë, i cili është në pritje të përgjigjes së letrës së nisur pak ditë më parë homologut të tij në Shqipëri.

EMISIONET