Pas artikullit të publikuar pak ditë më parë në gazetën daneze “Politiken” për shembjen e Teatrit Kombëtar, reagon edhe arkitekti Bjarke Ingels, projektuesi i modelit të Teatrit të ri.

Në shkrim, “Politiken”  e kritikonte Ingels për korrupsion në projektin e Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë, vetë arkitekti shkruan, po për këtë gazetë, se në lidhje me Teatrin, ai dhe studioja e tij propozuan dy projekte: një që ruante godinën ekzistuese dhe një tjetër për një ndërtesë nga zero.

“Në vjeshtën e vitit 2017, ne nënshkruam një kontratë me Fushën për të projektuar teatrin si pjesë e një kompleksi me funksione të ndryshme urbane. As unë dhe as kolegët e mi nuk jemi ekspertë të arkitekturës fashiste, por me ndërtesat historike nuk mund të jesh kurrë i sigurt, kështu që ne përgatisim dy sugjerime të ndryshme projekt-skicash për një teatër të ri: një që ruan ndërtesën ekzistuese dhe një ndërtesë nga zero.” – shprehet Ingels për “Politiken”.

Ai pohon se ka marrë ftesë në vitin 2012 nga Edi Rama që sapo ishte bërë kryeministër, për të dhënë ide për zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë.

“Në vitin 2013, unë mora një ftesë nga Edi Rama. Ai ishte rikthyer në politikën shqiptare – tani si kryeministër. Së bashku me kuratorin Hans Ulrich Obrist, ai më ftoi në një simpozium, ku unë, së bashku me një numër artistësh vendas dhe ndërkombëtarë—shkrimtarë, njerëz të kinematografisë dhe arkitektë—ishim të ftuar të jepnim ide për zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë.”

Më pas, Ingels pranon se është ftuar tri vite më vonë nga krye i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe flet për plane të ringjalljes së qendrës së kryeqytetit, ndër të tjera edhe për një Teatër të Ri Kombëtar. Ingels shton, që më pas është takuar me kompaninë Fusha sh.p.k në 2017-n, ku është nënshkruar një kontratë për ndërtimin e Teatrit të Ri, duke hedhur poshtë aludimin se projekti për Teatrin e Ri është kërkuar fillimisht nga kompania Fusha.

“Tre vjet më vonë ne u ftuam përsëri në Tiranë. Këtë herë mikpritësi ishte një kryebashkiak i ri socialist i Tiranës, Erion Veliaj. Ata folën për planet e shumta që kanë për qytetin dhe na nxitën të konsiderojmë disa nga mundësitë që tani janë në rrugë të mbarë për t’u realizuar. Ata janë në procesin e rigjallërimit të qendrës së shkatërruar të qytetit. Kishin plane për një stadium. Një treg. Kulla të reja për zyra dhe strehim. Dhe afër sheshit, do të jetë një teatër i ri kombëtar. Projekti planifikohet të kryhet në të ashtuquajturën PPP, një partneritet publik-privat, ku një zhvillues privat merr përsipër të kryejë një projekt dhe ta vërë atë në dispozicion të shërbimit publik përkundrejt një qiraje apo pagese fikse të dakordësuar. 

Gjatë vizitës sonë, ne takuam njerëz nga Fusha sh.p.k., kontraktori vendor që ishte duke kryer punimet në Sheshin Skënderbej. Ramë dakord të bëhemi bashkë për një nga projektet e ardhshme publike. Në vjeshtën e vitit 2017, ne nënshkruam një kontratë me Fushën për të projektuar teatrin si pjesë e një kompleksi me funksione të ndryshme urbane.”

Ingels flet për një projekt ku do të krijohej një si kryq tre-dimensional i mbjellë në kompleksin ekzistues të Teatrit Kombëtar.

“Ndërtesa ekzistuese ishte jashtëzakonisht e ngushtë, vetëm 12 metra e gjerë, aspak e mjaftueshme për një skenë të përshtatshme teatrale. Skena duhet të jetë së paku tre herë më e gjerë. Ne gjetëm një zgjidhje radikale për këtë problem të pazgjidhshëm. Duke e ngritur skenën mbi ndërtesën e vjetër, barakat e ushtarëve, mund të përfshijmë gjithë infrastrukturën ndihmëse teatrale, si një kryq tre-dimensional i mbjellë në kompleksin ekzistues.”

Ndërsa lidhur me propozimin e dytë, ai shprehet se u skicua një teatër që shtrihet në të gjithë hapësirën e truallit, në mënyrë që të merret përfitimin maksimal për funksionimin e Teatrit.

“Për propozimin e dytë, ne skicuam një teatër që shtrihet në të gjithë hapësirën e truallit, në mënyrë që të marrim përfitimin maksimal për funksionimin e teatrit. Ndërtesa në formë kryqi është e hapur në pjesën veriore, kështu që kalimtarët mund të shohin përgatitjet për shfaqjet që vihen në skenë.”

Ingels shton se në pranverën e viti 2018 u ftua në Tiranë, ku iu tha se duhen harruar barakat e vjetra sepse nuk kanë pasur ndonjë rëndësi arkitekturore ose historike;

“Në fillim të pranverës 2018, ne u ftuam në Tiranë për t’i paraqitur mendimet tona qytetit. Ne na u tha që duhet të harrojmë barakat e vjetra, sepse ato kurrë nuk kanë pasur ndonjë rëndësi arkitekturore ose historike; dhe duhet të përqendronim të gjithë energjinë në krijimin e një skene kombëtare shqiptare që është e denjë për artet interpretuese.”

/Ora News.tv/