Një infermiere italiane e quajtur Damiana Barsotti e cila punon 13 orë në ditë në spitalin San Luca për të shpëtuar jetën e pacientëve me koronavirus, ka marrë një letër jo të këndshme nga fqinjët e saj.

Infermierja e gjeti letrën në kutinë postare. Ndërkohë që e gjithë Italia po uron mjekët dhe infermierët që po luftojnë kundër virusit, ajo lexoi fjalë aspak inkurajuese.

"Faleminderit për koronavirusin që na sjell te dera çdo ditë. Ta dish që këtu ka të moshuar dhe fëmijë. Faleminderit!", shkruhej në letër.

"Kur e lexova letrën, ishte si thikë pas shpine, u ndjeva e tradhëtuar, e lënduar, por nuk u zemërova. Më pas mendova se ishte detyra ime të bëja diçka dhe thirra karabinierët", u shpreh infermierja.

"Nuk prisja ndonjë faleminderit, por ajo letër më lëndoi. Këto janë momente të vështira, ndonjëherë qaj kur shkoj në punë ose kur mbaroj turnin. Nuk më ka ndodhur kurrë të jem në mes të një pandemie vdekjeprurëse. I kam në mendje sytë e atyre pacientëve të shtrirë, me oksigjen dhe që më pyesin 'A do t'ja dal?' Por ne nuk e dimë, i japim shpresë pa e ditur çfarë do ndodhë. Kjo nuk është një sëmundje si të tjerat që i jep pacientit një ilaç dhe pret të përmirësohet", është shprehur  Barsotti.

Infermierja jeton me Gabriele, burrin e saj i cili është i papunë për më shumë se 12 muaj, me tre fëmijë të moshës 20, 18 dhe 15 vjeç.

/Ora News.tv/