Një qytetar nga Mirdita, por me banim në kryeqytet, tregoi sesi kishte infektuar dy prindërit e tij me Covid-19 pa e ditur që ishte mbartës i virusit.

Ai kishte shkuar fundjavën e Pashkëve katolike, 11 dhe 12 prill, te prindërit në Mirditë por nuk kishte shqetësime.

Pas kthimit në kryeqytet, të mërkurën e 15 prillit kishte ndjerë shqetësime. Ai tregon se kishte telefonuar 127 por i kishin thënë se ke grip të jashtëzakonshëm.

Me 20 prill kishte shkuar autoambulanca, i kishin matur temperaturën dhe tensionin dhe e njëjta përgjigje: Nuk ke asgjë për tu shqetësuar.

Qytetari: Prej të mërkurës së javës tjetër kam pas shqetësime, kam marrë 127 dhe më ka dalë një doktor. I tregova shqetësimet e mia dhe më tha ke grip të zakonshëm.Më tha rri brenda. Isha në Tiranë. Mora përsëri të nesërmen. Me datë 20 ka ardhur autombulanca, më bëri matje të tensionit dhe temperaturës, çuditërisht më tha je mirë dhe iku ndërkohë që unë isha bartës i virusit.

Ai thotë se vetëm me ndërhyrjen e një mikut të tij nga Amerika përmes mediave këtu në Shqipëri i kishin marrë tamponin ku edhe ka rezultuar pozitiv.

Qytetari: U desh ndërhyrja e një mikut tim në Amerikë që të ndërhyjë përmes televizioneve dhe të vijnë të më bëjnë testin dhe dola pozitiv.Tregova dhe kontaktet që kam pas, kam dy pleq në gjendje të rëndë në Mirditë. Kam pas një fatkeqësi natyrore kemi pasur dy garazhe të mbulura dhe i zbuloi era. Shkova për ti rregulluar gjithmonë duke menduar se isha mirë.Për Pashkë nuk kam pasur shqetësime. Tamponi mu mor tre ditë pas shqetësimeve.

Ai tregon se aktualisht është i papunë dhe nuk ka dijeni se nga mund ta ketë marrë virusin. Gjendja shëndetësore e tij është e stabilizuar, por merakun e ka te prindërit të cilët gjithashtu janë pozitiv, ku veç virusit kanë edhe problemet e moshës.

Qytetari: Vetë nuk jam shumë keq.Prindërit kanë dalë pozitiv me Covid.Unë banoj në Tiranë, shtëpi private te rruga "5 maji".Nuk punoj për momentin jam me pagë kalimtare. Nuk e di si mund të jem infektuar, edhe kur dal për blerje dal me mbrojtëse.Kontaktin me prindërit e kam pasur të shtunë dhe të dielë për Pashkët katolike. Janë 83 dhe 80 vjeç, edhe mos me qenë pozitivë ata janë në gjendje të dobët shëndetësore. Të dy jetojnë vetëm.

/Ora News.tv/