Indi, 21 qershori, Dita Ndërkombëtare e Jogës që nga viti 2015

Indi, 21 qershori, Dita Ndërkombëtare e Jogës që nga viti

Në Ditën Ndërkombëtare të Jogës, India ka apeluar që kjo filozofi dhe ushtrimet e saj të praktikohen sa më gjerë si metodë për të luftuar pandeminë e kovidit të ri.

Indianët në të gjithë vendin morën të dielën pozat e posaçme të jogës, një disiplinë disashekullore e zbuluar nga paraardhësit e hinduve që promovon mirëqenien fizike dhe shpirtërore nëpërmjet meditimit, frymëmarrjes dhe qëndrimeve të caktuara të trupit.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në mesazhin e tij përshëndetës tha se ka shumë praktika të jogës që rritin imunitetin e trupit dhe qetësojnë mendjen përballë koronavirusit.

Përhapja e tij në botë ka infektuar afro 9 miliona persona dhe ka vrarë më shumë se 460 mijë të tjerë.

"Miq, bota po e kupton sot më shumë se kurrë nevojën e jogës për shkak të koronavirusit. Imuniteti i fortë ndihmon në luftën kundër sëmundjes. Kovid-19 sulmon posaçërisht sistemin tonë respirator, dhe ushtrimet e frymëmarrjes si pranajamat janë më të mirat për ta forcuar atë."

Këtë vit kremtimi i Ditës së Jogës ishte më i kufizuar prej rrezikut të infeksionit ndërsa qytetarët indianë u udhëzuan ta festojnë atë brenda shtëpive dhe familjeve.

Tashmë gurutë indianë e perceptojnë jogën si rrugë drejt një planeti më të shëndetshëm dhe të bashkuar, pa i diskriminuar njerëzit nga raca, ngjyra e lëkurës, feja apo besimi.

"E gjithë bota po vuan nga koronavirusi por jo vetëm, nga sëmundjet fizike, mendore, nga streset e ndryshme sociale, ekonomike, politike që sa vijnë e rriten. Me jogën mbrojmë trupin, mendjen, emocionet, shoqërinë dhe kombin."

Filozofia dhe ushtrimet e jogës mendohet se praktikohen nga rreth 300 milionë veta në botë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka bërë jogën pjesë të planit global për shtimin e aktivitetit fizik gjatë 10 viteve të ardhshme.

Dita e Jogës festohet për vit anembanë globit që nga viti 2015.

EMISIONET