Meta vlerëson imzot Angelo Massafra-n me dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Angelo Massafra-n me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Për kontributin e shquar në drejtim të ripërtëritjes shpirtërore të besimit katolik në vendin tonë, për nxitjen, inkurajimin e promovimin e vazhdueshëm të bashkëjetesës paqësore, harmonisë dhe dialogut ndërfetar dhe në  mirënjohje ndaj përkushtimit të paepur për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe rivendosjen e pajtimit kombëtar”.

Në fjalën e rastit gjatë ceremoninë së dekorimit ku ishin të pranishmë Nunci Apostolik, Ambasadori italian në Tiranë, deputetë dhe klerikë të lartë të Kishës Katolike, Presidenti Meta u shpreh:  Kontributi i Imzot Massafrës në Shqipëri, tashmë prej më shumë se 25 vitesh - si një ‘udhëheqës shpirtëror’ dhe një klerik i devotshëm nuk mund të përkufizohet vetëm në rolin e tij të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin e komunitetit katolik shqiptar.

Veprimtaria dhe përkushtimi i tij jetësor shkon madje përtej kornizës religjoze për kultivimin dhe promovimin e vlerave tona unike të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Imzot Massafra ka një rol mjaft të rëndësishëm në rimëkëmbjen dhe riorganizimin e institucioneve të Kishës Katolike shqiptare pas viteve 90’-të, sikurse ka një meritë të pamohueshme në shkollimin dhe përgatitjen intelektuale të shumë djemëve dhe vajzave, kryesisht atyre të zonës së Shkodrës dhe Dukagjinit.

Gjithashtu, Imzot Masafra ka një kontribut të qenësishëm edhe në mikpritjen e mijëra vëllezërve dhe motrave kosovarë në Shkodër, të dëbuar si refugjatë gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë, Imzot Massafra, pasi falënderoi kreun e shtetit shqiptar, vuri në dukje se: “Ju siguroj se do të vazhdoj të punoj e të jetoj për të mirën e kombit tonë dhe të Kishës, të cilës ia kam kushtuar dhe dhuruar jetën time. Këtë dekoratë ia kushtoj kishës martire në Shqipëri dhe të varfërve më të varfër, që ishin në zemrën e së Shenjtës sonë, Nënës Terezë të Kalkutës.”



EMISIONET