Pas fjalës që mbajti jurisit Bledar Dervishi, Presidenti Ilir Meta foli sërish në konferencën për shtyp. 

Presidenti deklaroi se “Rilindja” po kërkon ta bëjë “mavi” Shqipërinë, që sipas ti, do të përfundojë “mavri” si gjatë viteve të diktaturës. 

Mirëpo, Ilir Meta u shpreh se nuk do të lejojë që Shqipëria të bëhet as mavi e as mavri, por nga 2 marsi, sipas Presidentit, Shqipëria do të bëhet kuqezi.

Ilir Meta: Do kemi punë të tjera, do kemi fakte të tjera. Kjo këtu është harta institucionale e shtetit tonë. Me Kushtetutë është shteti i së drejtës, por ju e dini se jemi KÇK. Ka ngelur edhe kjo kalja këtu, që të bëhet e gjithë Shqipëria mavi. 

Nga kush? Më vjen keq ta them, nga ata që e bënë Shqipërinë mavri për 50 vite të tëra në një regjim që ia kalon edhe Koresë së Veriut për të drejtat e njeriut. Në Kukës vareshin dy poetë, ndërsa në Sarandë tërhiqeshin zvarrë dhjetëra të rinj se kërkonin ta gjenin lirinë diku tjetër. Shqipëria nuk do të bëhet më as mavi as mavri.

Kanë krijuar idenë se shqiptarët janë lodhur dhe janë dorëzuar. Këta nuk e dinë akoma se ky është një popull shqiponjash dhe sorrat kurrë nuk do të bëhen Shqiponja. Dhe shqiponjat do të mblidhen të gjithë këtu në 2 mars për ta bërë Shqipërinë Kuq e zi. Unë i ftoj shqiptarët për fëmijët e tyre. Në qoftë se është Shqipëria kështu, sot kemi shpopullim jo largim. 

Të marrin këta dhe të rrëmbejnë në mënyrë mafioze dhe Gjykatën Kushtetuese, ju e kuptoni se çfarë ndodh këtu; kapja e shtetit dhe grushti i shtetit. Këtu pastaj do kemi një Shqipëri pa shqiptarë. Këta që i ndërruan emrin stadiumit “Qemal Stafa” ia ndërrojnë emrin dhe Shqipërisë. Përditë do të kemi konferenca shtypi me konferenca të tilla. Nga 2 marsi Shqipëria fillon e bëhet kuqezi, siç e duan të gjithë shqiptarët, siç ka qenë jetë e mot.

/Ora News.tv/